Kupa e FSHB-së / Besëlidhja leksion Partizanit, Tirana përmbys Kamzën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2023 | 14:04

Kupa e FSHB-së / Besëlidhja leksion Partizanit, Tirana përmbys Kamzën

Kupa e Federatës Shqiptare të Basketbol lit ka njohur mbrëmjen e djeshme finalistët edhe në radhët e meshkujve, teksa për trofeun do të matin forcat Besëlidhja dhe Tirana, skuadra që vetëm disa muaj më parë dhuruan një seri finalesh spektakolare në Superligë, me titullin që shkoi për bardheblutë.

beselidhja partizani basket

Lezhjanët u treguan të papërmbajtshëm në gjysmëfinale ndaj Partizanit, duke i shkatërruar “demat” me rezultat treshifror. Në sfidën tjetër, Tirana mposhti me përmbysje Kamzën, duke realizuar një periodë të katërt fantastike.

BESËLIDHJA-PARTIZANI – Të besuarit e Afrim Bilalit dominuan në çdo aspekt ndaj kryeqytetasve. Një ndeshje pa shumë histori, në të cilën Besëlidhja fitoi 108-66. Skuadra veriore, e cila është edhe fituese në fuqi e këtij kompeticioni, u shfaq superiore në të gjitha periodat.

Kështu lezhjanët shpërthyen që në start, për ta fituar thellë 28-13 çerekun e parë. Besëlidhja mbajti ritëm të lartë edhe në periodën e dytë, duke i bërë sërish mjaft mirë të dyja fazat, mbrojtjen dhe sulmin, për të fituar 26-12, duke shkuar në pushim me epërsinë 54-25.

Me 29 pikë avantazh, gjysma e tjetër e ndeshjes ishte një formalitet për lezhjanët, të cilët megjithatë i fitojnë edhe dy periodat e mbetura 22-11 dhe 32- 20.

Njeriu i ndeshjes ishte Blake Marquardt, teksa amerikani u prezantua me 32 pikë në debutimin e tij te Besëlidhja, duke treguar një shënjestër të mirë edhe nga jashtë zone me gjashtë 3-pikësha. Shkëlqyen edhe Philbert Weekes me 17 pikë e 15 kërcime si dhe Eldi Hysa me 15 pikë, 9 kërcime e 5 asiste.

Për skuadrën e Erdal Borovës shënuesi më i mirë ishte Samuel Skëndaj, me 15 pikë.

1021

TIRANA-KAMZA – Gjysmëfinalja e dytë mes bardhebluve dhe kamzalinjve dhuroi emocione deri në sekondën e fundit. Tirana triumfoi me përmbysje në shifrat 91-89 pas një takimi shumë të luftuar.

tirana kamza basket

Në tri periodat e para ishte Kamza skuadra që e diktoi lojën, duke i fituar periodat përkatësisht 16-21, 22-24 dhe 19-25.

Kështu, ekipi i Eni Llazanit ishte në epërsi 57-70 pas 30 minutash lojë. Por, kur dukej se do të kishim një fitore të sigurt të Kamzës, Tirana tregoi edhe një herë karakterin e saj, duke zhvilluar një periodë të katërt të shkëlqyer.

Bardheblutë e Erkand Karajit ishin thjesht të papërmbajtshëm në sulm, duke triumfuar 34-19 në çerekun e fundit, për të kompletuar një përmbysje fantastike. Paraqitje super për Endrit Hysenagollin me 18 pikë dhe plot 22 kërcime.

Ndërsa shënuesi më i mirë ishte Gerard Davis me 34 pikë. Për Kamzën më i miri ishte Zahir Porter, autor i 30 pikëve dhe 8 asisteve.

5454

Nesër në orën 17:00 në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” Besëlidhja dhe Tiranën do të përballen në finale për trofeun e Kupës së FSHB-së.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"