Kukësi prezanton Çelën, trajneri tregon objektivin: Ndjehem i vlerësuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2024 | 9:35

Kukësi prezanton Çelën, trajneri tregon objektivin: Ndjehem i vlerësuar

Emiljano Çela merr zyrtarisht drejtimin e skuadrës së Kukësit, pas dorëheqjes së trajnerit Ilir Spahiu. Çela është një njohje e vjetër në kampin verilindor, pasi e drejtoi skuadrën pak ndeshje në elitë në sezonin e kaluar, ndërsa tani ka ardhur me të tjera synime.

cela

Në daljen e tij para mediave, tekniku i verilindorëve pranon se është kënaqësi të rikthehet në një skuadër ku ka punuar. “Në radhë të parë, është një kënaqësi për mua të rikthehem në ekipet ku kam punuar. Për mua kjo do të thotë shumë, pasi kam lënë një shenjë të mirë.

Pra, ideja ime gjithnjë në ekipet ku punoj, është ta bëj punën me profesionalizëm dhe ta lë një derë hapur. Ky është edhe rasti që ndodhi me ekipin e Kukësit. Është gjithmonë kënaqësi të jesh trajner i Kukësit. Të gjithë e dimë historinë në 10-vjeçarin e fundit dhe për mua është një ekip me emër dhe stemë të madhe”, u shpreh fillimisht Çela, i cili u prezantua nga drejtori sportiv, Renato Arapi.

OBJEKTIVAT – Sa i përket objektivave, trajneri Çela pohon se ato do të shihen në vazhdimësi, pasi bëhet fjalë për një projekt që në qendër të tij ka djemtë e rinj. “Kukësi është një klub që ka lënë gjurmë në futbollin shqiptar, por edhe në arenën europiane. Është një moment kulminant për ekipin e Kukësit, një kategori më poshtë. Pretendimet e drejtuesve janë që t’i marrin gjërat pak më shtruar, në mënyrë graduale.

Do të punohet shumë me elementin e ri. Është një projekt që mua mu prezantua dhe më pëlqeu. Hap pas hapi, më pas do shohim edhe zhvillimet për të ndarë dhe objektivat”, vijoi më tej trajneri i Kukësit. Ndonëse pak muaj më parë qëndroi shumë pak me këtë skuadër, këtë herë Çela shpreson që të qëndrojë sa më gjatë.

“Ideja ime është që të ketë një vazhdimësi me Kukësin, pasi është vetë projekti që drejtuesit kanë menduar të bëjnë me këtë ekip. Unë jam një trajner i ri në profesion dhe më pëlqeu ideja e vazhdimësisë”, përfundoi tekniku i verilindorëve. Çela nuk vjen i vetëm në Kukës, pasi do të ketë ndihmës të tij, Bekim Kulin, si dhe trajner të portierëve, Ervis Koçin. Trajneri i ri e nis menjëherë sot me një përballje të vështirë, ku do të sfidojnë skuadrën e Apolonisë në “Kukës Arena”.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"