Kukësi ndjen “ethet” e mbijetesës në Kategorinë e Parë, me Lushnjën si provë reflektimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2025 | 20:45

Kukësi ndjen “ethet” e mbijetesës në Kategorinë e Parë, me Lushnjën si provë reflektimi

Kukësi doli pa pikë nga transferta me Kastriotin, ku u mundën me një penallti. Kështu, kuksianët humbasin jo pak terren me skuadrat që synojnë të jenë në gjashtëshen e parë. Edhe pse drejtuesit me nisjen e pjesës së dytë të merkatos patën si synim të përforconin ekipin që të konkurronin për një vend në “play-off”, mund të thuhet se kjo humbje ia vështirëson jo pak gjërat.

kukesi

Nga ana tjetër, largimi i dy prej lojtarëve më të mirë, Beshiraj dhe Hasa, dobësoi jo pak verilindorët dhe tani duhet të mendojnë seriozisht për të mos vënë në rrezik mbijetesën. Për momentin, ata kanë një distancë sigurie me ekipet që bien direkt nga kategoria, ku vendi i parafundit që mbahet nga Valbona është tetë pikë larg. Mirëpo, rreziku vjen nga Korabi që i është afruar me një pikë, ndaj në Kukës kanë nisur të ndiejnë “ethet” e ekipeve poshtë tyre. Për këtë arsye, ndeshja me Lushnjën këtë fundjavë kthehet në një finale më vete, e cila mund të konsiderohet edhe si një sfidë direkte, duke parë pozicionet që mbajnë në klasifikim.

Fakti që luhet në “Kukës Arena” i detyron të besuarit e Alfred Allamanit që të futen në fushë vetëm për fitore, edhe për faktin se përballë do të kenë një ekip që nuk është në rangun e pretendentëve. Sakaq, skuadra ka nisur ditën e djeshme edhe përgatitjet në kuadër të kësaj ndeshjeje, teksa Kukësit do t’i rikthehet edhe mbrojtësi Geri Selita, i cili nuk luajti me krutanët për arsye kartonësh.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"