Kukësi bind kapitenin që e synonte gjysma e Superiores, në gjyq me të shumëkërkuarin Salami
Drejtuesit e rinj të Kukësit mësohet se kanë këmbëngulur për të mbajtur në skuadër mesfushorin me tipare sulmuese, Françesko Hasaj. Këtij të fundit i është premtuar shiriti i kapitenit, në një kohë që gjatë kësaj periudhe është joshur nga ofertat e disa klubeve të Superiores.
Egnatia dhe Dinamo kanë qenë më afër fantazistit, por mësohet se projekti i drejtuesve të rinj nis nga Hasaj, të cilit pritet t’i jepet edhe shiriti i kapitenit. Nga ana tjetër, lojtari më i kërkuar i Kukësit në sezonin e që lamë pas, Mustafa Gbolahan Salami, është thuajse e sigurtë që do të largohet. Mirëpo, gjasat janë që ai mund të iki nga Kukësi me parametra zero.
Mësohet se lojtari ka kërkuar largimin, duke depozituar edhe një shkresë në FSHF, teksa pretendon që për shkak të pagave të padhëna, duhet të dalë futbollist i lirë.
Të hënën mund të merret një vendim, në një kohë që nigeriani ka pasur oferta nga Partizani, Dinamo dhe klubi i Superligës izraelite, Bnei Yehuda. Madje, këta të fundit ofruan 100 mijë euro për blerjen e kartonit, por drejtuesit e Kukësit pretenduan më tepër. Tashmë rrezikohet që nigeriani të largohet me parametra zero.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"