Kthehen me grupin, Kërnaja ka luksin e zgjedhjeve para Egnatias
Partizani po vijon me përgatitjet në prag të sfidës me Egnatian. Ky takim do të luhet në stadiumin “Arena e Demave”, të shtunën prej orës 17:00. Sfida është e vlefshme për javën e tetë dhe sjell emocione të përziera.

Për herë të parë Egnatia e gjen Partizanin në këtë gjendje. Më pranë është vendi i fundit se ai i pari për të kuqtë, që nuk e kanë nisur mirë. Fitorja ndaj Flamurtarit ka vlerë për moralin te kryeqytetasit. Këtë të shtunë llogaritë i bëjnë me disa lojtarë më shumë.
RIKTHIMET- Oltijon Kërnaja mund të llogarisë disa lojtarë më shumë për sfidën ndaj Egnatias. Më konkretisht bëhet fjalë për Marçelino Prekën, që pritet të jetë i gatshëm pas mungoi ndaj Flamurtarit për infeksion në dorë. Lideri është i rëndësishëm në prapavijë dhe nuk do të diskutohej si titullar. Bashkë me Prekën, i gatshëm është sërish Tedi Malaj.
Talenti i mesfushës që spikati në Europë nuk ka pasur hapësirat e duhura deri tani në kampionat. Bëhet fjalë vetëm për ndeshjen ndaj Teutës si titullar ku u zëvendësua që pas përfundimit të pjesës së parë. Gjasat janë të mëdha që Hoxha të jetë sërish i gatshëm për ekipin. Megjithatë, vendi i titullarit i ka kaluar sërish Qirkos. Ky i fundit në kampionat, me përjashtim të golit të Tiranës, në tre sfida të tjera e ka mbajtur portën e paprekur.
DILEMA- Mbetet për t’u parë nëse Gjergji Kote dhe Besar Gudjufi do të përfshihen te lista me 21 lojtarë për ndeshjen. Kërnaja duhet të bëjë kështu zgjedhje të rëndësishme jo vetëm gjatë ndeshjes, por edhe përpara. Kote dhe Gudjufi, njëjtë si Ogunleje dhe Jata, nuk ishin në dispozicion në Vlorë.
Për shkak se vetëm 21 lojtarë mund të jenë në dispozicion, Kërnaja u detyrua të sakrifikojë disa prej talenteve në ekip. Kontingjenti i Partizanit është i plotë. Tashmë do të mbetet në dorën e Kërnajës, që të hedhë në fushë më të mirët. Padyshim që nuk do të jetë e lehtë, pasi duket se vetëm në portë dhe mbrojtje nuk ka dilema. Logjikisht gjithçka do të nisë me Qirkon në portë dhe më pas me rreshtimin e Markut, Sembenes, Prekës dhe Atanaskoskit në mbrojtje.
PANORAMASPORT.AL













