Kriza te Dinamo, Di Biaxho kërkon ndihmën e Igli Tares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2023 | 20:11

Kriza te Dinamo, Di Biaxho kërkon ndihmën e Igli Tares

Te Dinamo nuk ka më justifikime, diçka duhet bërë për të kapërcyer sa më parë këtë krizë të paparashikuar. Në ndeshjen e së enjtes në Laç blutë duhet të ndalin me çdo kusht serinë e humbjeve dhe të gjithë në klub po punojnë për këtë gjë.

igli-1

Situata e vështirë që në fillim të aventurës te Dinamo duket se e ka detyruar trajnerin Luixhi di Biaxho të kërkojë ndihmë. Te kush? Tek ai që e solli në Shqipëri, Igli Tare, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare dhe ish-drejtori sportiv i Lacios për shumë vite. Gazeta mëson se Tare ka qenë i pranishëm dy ditët e fundit në shtëpinë e Dinamos, në Arbanë.

Ai ka vëzhguar stërvitjen e Dinamos nga stoli dhe me siguri do t’i japë ndonjë sugjerim trajnerit italian për të dalë nga kriza e rezultateve. Kujtojmë që Igli Tare ka pasur një rol të rëndësishëm në ndryshimet e mëdha që u bënë te Dinamo gjatë verës. Ai ka vepruar si bashkëpunëtor i jashtëm në projektin ‘Dinamo City’ dhe është ai që ka propozuar ardhjen e Di Biaxhos në stolin dinamovit.

Të dy u fotografuan në stadiumin e Korçës në korrik, gjatë një miqësoreje që blutë luanin me Skënderbeun dhe skuadra drejtohej nga Dritan Mehmeti në atë kohë. Në gusht Di Biaxho mori zyrtarisht drejtimin e 18 herë kampionëve të vendit, ndërsa gjatë merkatos u fol për një rikthim të bujshëm të kryeqytetasve në majat e futbollit shqiptar. Por fusha në këto 5 javë të para të kampionatit ka treguar se tjetër gjë janë projektet në letër dhe tjetër gjë realiteti.

Dinamo ka zhgënjyer me 4 humbje në 5 ndeshje, ku sigurisht që përgjegjësi kanë të gjithë, nga stafi te lojtarët. Dhe në këtë moment delikat trajneri italianin ka menduar të kërkojë ndihmën e ‘mentorit’ të tij. Tani mbetet të shihet se sa efekt do të japë prania e Tares në ndryshimin e klimës te blutë. Ndeshja e nesërme me Laçin është një provë shumë e rëndësishme.

Igli Tare është një ekspert i fushës dhe me siguri mund të ketë konstatuar se çfarë nuk shkon aktualisht te Dinamo sa i takon grupit të futbollistëve. Megjithatë, blutë deri në janar do ta përballojnë garën me këta lojtarë dhe me ta duhet së pari, të bëjnë kthesën dhe të grumbullojnë sa më shumë pikë për t’iu larguar fundit të tabelës.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"