KRIZA E SPORTIT SHQIPTAR / “Superliga” e basketbollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2024 | 19:59

KRIZA E SPORTIT SHQIPTAR / “Superliga” e basketbollit

Nga BESNIK DIZDARI
Po përpiqem, nëse nuk do të dështoj, të hap këtë cikël me temën “Kriza e sportit shqiptar”, duke filluar me basketbollin.

fsfdssdffssffsfds

Vështroni se ku kemi mbërritur.

Kampionati Kombëtar i Basketbollit për meshkuj, nuk quhet më “Kampionati Kombëtar”. Quhet “Superliga”, duke imituar keqas emërtimet e Federatës Shqiptare të Futbollit. Dhe kjo Superligë e basketbollit ka vetëm këto 6 skuadra:
BESELIDHJA / Lezhë
SK TIRANA / Tiranë
TEUTA / Durrës
KAMZA / Kamëz
VLLAZNIA / Shkodër
APOLONIA / Fier

Kjo do të thotë se Kampionati Kombëtar i Basketbollit për meshkuj, më e pakta “ka humbur” skuadrat e Partizanit, Elbasanit, Korçës, Vlorës. Çka do të thotë se ky është një kampionat ku marrin pjesë skuadrat e vetëm 4 qyteteve që kanë themeluar dhe përparuar basketbollin shqiptar: Tirana, Shkodra, Durrësi dhe Fieri. Një lloj “tradhëtie” sportive edhe kjo!

Por ja që kemi edhe një Kategori të Dytë të basketbollit të meshkujve, që quhet “Kategori e Parë”, imtim i papranueshëm edhe ky prej organizimeve të FSHF. Që quajnë “Kategori e Parë, “Kategorinë e Dytë”!… E edhe kjo – vërtetësisht “Kategori e Dytë” pra – ka po ashtu 6 skuadra: Partizanin – legjendën tonë të basketbollit – e me të edhe Elbasanin, Skënderbeun, Fierin, Flamurtarin, Pogradecin!…

Kësisoji, merret me mend se me këtë ndasi e ngushtim, monotonia e përsëritjet e tepërta të ndeshjeve, e cenojnë tejet vlerën e këtyre kampionateve me vetëm 6 skuadra.

Kalojmë te femrat e basketbollit.

Kampionati Kombëtar i femrave në basketboll është thuajse kopje e atij të meshkujve. Me një ndryshim të vogël: këtu marrin pjesë jo 6, por 7 skuadra:
SK TIRANA / Tiranë
PARTIZANI / Tiranë
FLAMURTARI / Vlorë
VLLAZNIA / Shkodër
STUDENTI / Tiranë
TEUTA / Durrës
ELBASANI / Elbasan

Siç shihet, diçka më mirë. Këtu janë skuadrat e pesë qyteteve kryesore Tiranë, Shkodër, Vlorë, Durrës dhe Elbasan. Por prapë janë shumë pak edhe këto. Nuk ka Korçë, Fier apo Gjirokastër. Ndërkohë që nga 7, tri janë skuadra të Tiranës! Thuajse 50 përqind nga një qytet i vetëm!

Lind pyetja: përse Kampionatet Kombëtare të Basketbollit kanë imituar Federatën Shqiptare të Futbollit, duke i shkurtuar, madje edhe më thellë skuadrat, pra jo 10 sa futbolli, por vetëm 6? Ec e merre vesht. Mungojnë idetë? Mungon njohja e historisë së këtij kampionati i shtatë dekadave të tana? Sigurisht nuk po guxoj të them se mungon atdhetaria. Ndonëse kur Kampionati bëhet me vetëm 6 skuadra dhe lihen jashtë qytete tradicionale të basketbollit, thjesht sepse kërkohet që Kampionati të ketë shumë pak skuadra (6) – kushedi sepse – atëherë mund të mbërrihet të paktën te moskuptimi i atdhetarisë. Çka do të thotë se ashtu si dhe te FSHF-ja, nuk ka dhimbje as për mungesën në kampionatin parësor të basketbollit të Shqipërisë të qyteteve tradicionale të këtij sporti. Dhe sigurisht nuk ekziston si dhe në federatën e futbollit as edhe ndonjë “frike” për ndërhyrje qeveritare, ministrore apo shtetërore, ngaqë të gjithë këta, sportin e përmendin vetëm kur Kombëtarja e futbollit shkon në finalet e KE apo kur “rrëmbehen” dy mundësa prej Rusisë dhe fitohen dy medalje olimpike!

Më 4 qershor 2023, këtu në “Panorama Sport” kam botuar shkrimin me titullin “Federata Shqiptare e Basketbollit – një nxitje e fortë për FSHF-në”.

Ishte, si të thuash një shkrim entuziast nga që krejt papritmas, Federata e Basketbollit kishte vendosur të organizonte një Kampionat Kombëtar me 10, madje me 11 skuadra. Dhe për bukuri e organizoi. Ishin Besëlidhja e Lezhës, Teuta e Durrësit, Vllaznia e Shkodrës, SK Tirana e Tiranës, Apolonia e Fierit, Kamza e Kamzës, Partizani i Tiranës, Flamurtari i Vlorës, KS Elbasani i Elbasanit, Fieri, Skënderbeu i Korçës.

Mirëpo, kur kaluan muajt e këtij Kampionati shpresëdhënës ngaqë po e quaj “mbarëshqiptar”, ose “Kampionati tradicionat i qyteteve të Shqipërisë”, entusiazmi më ra. Me sa duket, gjithçka kishte qenë thjesht një lloj prove a eksperiment. Kësisoji, ngaqë Kampionati 2024-2025 u shndërrua në një kampionat me vetëm 6 skuadra.

Tash, disi papritmas si në një parantezë, në mënyrë të vetvetishme, po kaloj te gazetaria. Na i ka marrë mendtë futbolli. Ai i Shqipërisë, po edhe ai i huaj. Më ndodhi që për një arsye nuk munda ta shoh në shtëpi në TV ndeshjen e futbollit Vllaznia-Skënderbeu. U detyrova të shkoj në ndonjë kafene afër. Kalova në 4 kafene që kishin nja 3 apo 4 ekrane televizionesh. Asnjëra nuk pranoi ta çonte te RTSH, ky shqiptar pra, që transmetonte Vllaznia-Skënderbeu. Vetëm ndeshjet e kampionateve të shteteve të huaja e motoçiklizëm, në mos gaboj. Vura buzën në gaz dhe iu thashë se “do të ndërhyj që t’iu gjobisin”, siç pat bërë një herë Franca me një radio lokale që jepte mbi 60 përqind muzikë të huaj, pra me shumicë jo muzikë franceze.

Ika te një kafene tjetër që disi me vështirësi pranoi të ma çonte ekranin te RTSH.

Tash më mbërrin pyetja tjetër: a e ka sot Shqipëria gazetarin analist të problematikës për basketbollin? Si dikur pra, kur kemi pasur Vangjel Shundin, Baku Gjonin, Namik Mehmetin, Rifat Uruçin, Xhoxhi Vasilin e Bujar Qesjen? Pa shkuar te trajnerë të shquar të cilët, në mënyrën më të besueshme e me kulturë, u shndërruan edhe në analistë të një problematike të basketbollit, të tillë si Feti Borova, Qemal Shalësi apo Petrit Stefa dhe jo vetëm këta.

Jo nuk e kemi, dhe për fat as po ia arrijmë të kemi të këtillë as prej brezit të ri të gazetarëve. Ka ndodhur harrimi i një tradite të bukur.

Dhe askush nuk flet, nuk kritikon, nuk argumenton për të mbërritur te përseja e kësaj mpakjeje që përveç të tjerave, po aq mpak mendimin në vetë teorinë dhe praktikën e basketbollit shqiptar. Kur dihet se janë kampionatet ata që luajnë rolin kryesor për zhvillimin e përparimin e këtij sporti edhe në Shqipëri.

Basketbolli ynë, ashtu siç ka nevojë për një Kampionat Kombëtar me 10 skuadra, ku të jenë pjesëmarrëse skuadrat e elitës së qyteteve të basketbollit shqiptar, ka nevojë edhe për gazetarin e tij analist e të një problematike. “Panorama Sport”, në të cilin shkruaj tash 15 vjet pa ia nda, besoj se më kupton. Ka ardhur koha që shkrimet joproblematike, të stërzgjatura e përsëritëse, të mos kenë pushtetin e pamerituar. Dhe t’i hapet vend i duhur pasqyrimit të problematikës aktuale kritike, në këtë rast, edhe të basketbollit shqiptar. Madje jo vetëm të basketbollit. Një libër i deontologjisë së gazetarit ka përcaktuar se edhe në gazetarinë sportive ndodh që jo pak gazetarë të zhvillojnë një aktivitet të pakontrollueshëm përsëmbari, duke harruar se duhet t’i shërbejnë vetëm interesit të shoqërisë, parim ky në të cilin qëndron profesioni i tij.

Dhe ja tash e si na ndihmon në temën tonë të krizës së sportit shqiptar, gjuha e historisë emërore apo statistikore, që na kujton se çka ishte përshembull, Kampionati Kombëtar i basketbollit, datuar 1984-1985. Ai kishte këtë pjesëmarrje skuadrash:
PARTIZANI / Tiranë
17 NENTORI / Tiranë
VLLAZNIA / Shkodër
DINAMO / Tiranë
LOKOMOTIVA / Durrës
SKENDERBEU / Korçë
FLAMURTARI / Vlorë
STUDENTI / Tiranë
LABINOTI / Elbasan
APOLONIA / Fier

Ky është Kampionati Kombëtar i basketbollit për meshkuj, me plot 10 skuadra i 40 vjetëve më parë. E po më duket sikur po kërkoj të festoj 40-vjetorin e tij. Ka qenë një kampionat i pashlyeshëm. Siç shihet, janë skuadra të qyteteve Tiranë, Shkodër, Durrës, Korçë, Vlorë, Elbasan, Fier. Qe shpallur kampion Partizani. Emrat e lojtarëve të tij quheshin Gazmend Çaçi, Kastriot Mushi, Robert Kuqo, Artan Terihati, Edgar Prifti, Pjerin Bushati, Artan Kuqo…

Janë emra që më kujtuan ndeshje të mrekullueshme të tyre, madje edhe ndërkombëtare në ato fund vitesh ’80: Partizani-Inter Bratislava e Çekosllovakisë e dy fitoreve të bujshme shqiptare 89-80 e 91-83. Dhe Partizani në 12-shen e Kupës së Kampioneve të Europës! Apo fitorja e bujshme e Partizanit me Aris të Selanikut të Greqisë 81- 80. E mandej eliminimi prej Partizanit i Kampiones së Hungarisë Zalaegerszeg (101-90, 79-86). Pa harruar se një herë me Kombëtaren patëm fituar edhe me Greqinë e nja dy herë edhe me Kinën, madje. E nuk po zbres te më herët për te ndeshjet e famshme të Agim Fagut me shokë.

Ndërkaq, disi në parantezë, sot mbas gati një gjysmë shekulli, po ndjej thuajse një pendim që patëm kritikuar aq fort Flamurtarin e Vlorës të Petrit Stefës për humbjet me kampionen e Hungarisë BSE të Budapestit. Ishim në eufori e kujtonim se me atë kampionat fort të bukur të basketbollit të femrave gjithnjë në rritje, kishim mbërritur edhe Europën. Harronim se kishim guxuar të merrnim pjesë për herë të parë në garën e nivelit më të lartë të Europës, Kupën e Kampioneve të Europës për femrat!… Ishim të marramendun në pretendim, në këtë rast jo prej frikës, ndonëse në qarqet atje lart ishin ngrysur fort…

Tash, për sot, nuk e di nëse merr pjesë Shqipëria në Kupat e Europës në basketboll.

Ajo që di është se Kampionatet Kombëtare të Shqipërisë në basketboll janë varfëruar jo pak… Për fat di edhe këtë tjetrën: që dy ndeshjet e këtyre ditëve të fundit të Kombëtares së Shqipërisë në Kupën e Botës për meshkuj, ishin humbjet e rënda: Armeni-Shqipëri 84-79 dhe Shqipëri-Austri 63-99!

Për të mirë qoftë, por kriza e sportit shqiptar nuk është vetëm në basketboll…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"