Kritika për ritmin “që imponojnë” shkodranët/ Pushim dy ditë, por Martini kërkon miqësore
Ajo që shqetësoi më shumë te Vllaznia në ndeshjen e fundit të humbur në kampionat në shifrat 3-1 ndaj Dinamos, nuk ishte mos sigurimi i pikëve, por loja dhe ritmi që imponuan shkodranët. Skuadra u duk totalisht e tjetërsuar nga ajo çfarë u pa në duelin e parë kundër Egnatias, ku ekipi i Martinit imponoi ritmin e tij, duke dominuar ndaj rrogazhinasve.

Ndaj të cilëve po ashtu fituan plot meritë me rezultatin 2-0 në javën e parë të kampionatit. Por, në ndeshjen ndaj Dinamos ishte totalisht një tjetër histori, me blutë që nuk i lejuan për asnjë moment shkodranëve të dilnin në lojën e tyre.
Duke dominuar jo vetëm në rezultat, por edhe lojë dhe territor në fushë. Me futbollistët e “nëndetëses” që pavarësisht se vinin nga një dueli “play off” në “Conference League” kundër Jagellonias, treguan se kishin përgatitjen dhe ritmin e duhur. Duke qenë shumë të qartë në veprimet e tyre që çuan edhe në shënimin e 3 golave dhe sigurimin e 3 pikëve nga ana e tyre. Vllaznia në këtë pikë u duk në disavantazh ndaj 18 herë kampionëve të Shqipërisë.
Pavarësisht se shkodranët kishin më shumë kohë dhe ditë për të përgatitur një sfidë të tillë në mënyrën më të mirë të mundshme. Megjithëse ngarkesat fizike verore apo edhe ndeshjet e “Conference League” mund të ndikojnë te niveli në fushë i skuadrës, që ende po kërkon formën ideale. Pavarësisht se një justifikim i tillë nuk mund të qëndrojë, pasi fytyra e kuqebluve ndryshoi nga ndeshja me Egnatian në atë me Dinamon vetëm në harkun kohor të 9 ditëve.
Pavarësisht humbjes në shifrat 3-1 ndaj Dinamos në javën e dytë të kampionatit, te Vllaznia futbollistët janë “shpërblyer” me dy ditë pushimi. Kështu trajneri Martini dhe stafi i tij kanë vendosur që ta lënë skuadrën pushim në këtë fillim jave.
Kjo “pauzë” e shkodranëve vjen si pasojë edhe e “pauzës” së kampionatit shqiptar, që gjatë kësaj fundjave do jetë pushim. Kjo për shkak të ndeshjeve të kombëtareve në mbarë Europën, duke përfshirë këtu edhe kombëtaren shqiptare. Në këtë mënyrë futbollistët kuqeblu do kenë dy ditë mundësi për të rikuperuar energjitë, në një verë që ka qenë e gjatë për ta. Për shkak të angazhimeve në kupat e Europës, por edhe përgatitjeve të fazës përgatitore.
Prandaj një pushim i titullarëve dhe gjithë skuadrës është shikuar si i domosdoshëm. Shkodranët pritet t’i rinisin përgatitjet e tyre gjatë kësaj mesjave, ku në fundjavë po ashtu ekziston mundësia që skuadra të zhvillojë një ndeshje miqësore në mënyrë që të ruajë ritmin e dueleve. Aktualisht si plan është një përballje me Vllaznia “B”, megjithëse ende s’ka diçka të konfirmuar nga ana e klubit.
Po ashtu momentalisht tek shkodranët kënaq fakti se grupi është i plotë dhe asnjë prej futbollistëve nuk ka shfaqur ndonjë problem fizik. Në këtë mënyrë duke qenë të gjithë të gatshëm dhe nën urdhrat e trajnerit Martini për të dhënë kontributin e tyre kur të kërkohet për fanellën e 9 herë kampionëve të vendit tonë.
PANORAMASPORT.AL













