Kritika pa fund për Francën pas disfatës me Italinë, Deshamp: Janë pjesë e punës, me Belgjikën do të jemi ndryshe
Didië Deshamp dukshëm i zhgënjyer u shfaq në konferencë për shtyp pas humbjes turpëruese që i shkaktoi Italia mbrëmë në Paris. Duke analizuar paraqitjen e të tijve, trajner francez u shpreh:
“U munduam të dilnim në lojën tonë, por disa gjëra varen edhe nga reagimet e kundërshtarit që në këtë rast, Italia, i pati shumë cilësore. Ata kanë ndryshuar shumë, por jo ambicien e kjo u pa në fushë. Do të provojmë të ndryshojmë diçka kundër Belgjikës të hënën dhe jam i sigurt se do të shihni një Francë ndryshe”.
Në rrjetet sociale, por edhe media të ndryshme nuk e kanë kursyer teknikun e “Gjelave”, edhe përpara humbjes së djeshme. Për shumëkënd ai duhej të ishte larguar, që pasi dështoi në Europian. Lidhur me këtë aspekt, Deshamp nuk duket aspak i shqetësuar, madje gjen forcë për të mbrojtur idetë e tij dhe grupin që drejton.
“Kritikat nuk kanë munguar ndonjëherë ndaj meje apo ekipeve të mia ndër vite. Janë pjesë e përditshmërisë kur bën këtë profesion. Kjo nuk do të thotë se do të stepemi. Objektiv ynë mbetet suksesi, duke qenë sa më të rrezikshëm në fushën e lojës. Ky grup ka cilësi dhe do të mundohet ta tregojë në ndeshjen e radhës”, përfundoi 55-vjeçari.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"