Kristiano Ronaldo sulmon përsëri Ten Hagun: Tha gjëra që nuk thuhen
Kristiano Ronaldo ka kritikuar ashpër trajnerin e Mançester Junajtidit, Erik ten Hag, për qëndrimin e tij që kur mori drejtimin e klubit. Ronaldo, i cili i shprehu pikëpamjet e tij në një intervistë me Rio Ferdinandin që do të publikohet nesër, është një legjendë në “Old Trafford” pasi shënoi 145 gola në 326 paraqitje në dy periudha të ndryshme, ndërsa ai fitoi gjithashtu nëntë trofe me klubin.
Sidoqoftë, periudha e tij e dytë përfundoi jo ashtu siç ai do të kishte dashur pas një mosmarrëveshjeje me Ten Hagun, me Ronaldon që më pas e ndërpreu kontratën e tij, përpara se të sulmonte holandezin dhe të thoshte se ndihej i tradhtuar prej tij. Dhe, duke folur në podkastin “Rio Ferdinand Presents”, ylli i Al-Nasr shenjëstroi përsëri Ten Hagun dhe ishte jashtëzakonisht kritik ndaj sjelljes së tij si trajner i “Djajve”.
“Siç ju thashë, Mançester Junajtid duhet të rindërtojë gjithçka, sipas mendimit tim,” tha portugezi. “Ata thonë se trajneri nuk mund të konkurrojnë për të fituar Premier Ligën dhe Ligën e Kampioneve. Si trajner i Mançester Junajtid, ti nuk mund të thuash se nuk do të luftosh për të fituar Ligën apo Ligën e Kampioneve. Duhet t’i thuash vetes, ‘dëgjo, ndoshta ne nuk e kemi atë potencial, por unë nuk mund ta them këtë. Ne do të përpiqemi. Duhet ta provoni’”.
Që kur Ten Hag mori drejtimin, Junajtid ka përfunduar i treti dhe i teti në Premier Ligë, megjithëse ata kanë fituar Kupën “Carabao” dhe “FA Cup” në këtë periudhë. Gjithsesi, gjërat kanë qenë të turbulluara për skuadrën e holandezit, me vendin e tetë të sezonit të kaluar që ishte renditja më e dobët e Junajtidit në epokën e Premier Ligës, ndërsa ata u eliminuan gjithashtu nga Champions League në fazën e grupeve.
Kishte spekulime për të ardhmen e Ten Hagut në verë përpara se struktura e futbollit e udhëhequr nga INEOS të vendoste të qëndronte me të. Më pas ai u mbështet me përforcime në merkato dhe gjithashtu brenda stafit të tij stërvitor, i cili përfshinte ardhjen e ish-sulmuesit të Junajtid, Rud van Nistelroi. Dhe Ronaldo mendon se emërimi i holandezit, i cili shënoi 150 gola për klubin në 219 ndeshje, ishte një hap në drejtimin e duhur.
“Nëse Ten Hag dëgjon Rud, ndoshta ai mund ta ndihmojë veten. Unë mendoj se mund të ndihmojë shumë, sepse ai e njeh klubin dhe klubi duhet të dëgjojë djemtë që ishin atje. Ju (Rio) ose Roi Kin apo Pol Skolls ose Geri Nevil apo Sër Aleks Ferguson. Nuk mundesh të rindërtosh një klub pa njohuri, jo me djemtë që punojnë në zyrë. Ata e kuptojnë. Njerëzit që e kuptojnë futbollin, 99 për qind janë njerëzit që ishin aty në dhomën e zhveshjes. Ata dinë të sillen me lojtarët. Janë njerëzit që i kuptojnë këto gjëra. Kështu që unë besoj se Rud do të ndihmojë, sepse ai ishte brenda klubit. Ai e njeh klubin. Ai i njeh tifozët. Nëse trajneri e dëgjon atë, unë mendoj se ata mund ta përmirësojnë pak klubin”.
Ai shtoi: “Ky klub ka nevojë për kohë për t’u rindërtuar sepse është ende një nga klubet më të mira në botë, por ata duhet të ndryshojnë. Ata e kuptojnë atë. Kjo është mënyra e vetme. Kjo është arsyeja pse ata po fillojnë të ndryshojnë sërish, struktura e klubit, presidenti, infrastruktura dhe gjithçka. Pronarët e klubit. Ata po investojnë në terrenin stërvitor… Kështu që unë jam i lumtur sepse gjërat po ndryshojnë. Nuk jam i lumtur se si ndodhi gjithçka, por në të njëjtën mënyrë, ne nuk mund të kontrollojmë disa pika të jetës sonë ndonjëherë. Ajo që është bërë, është bërë”.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"