Kotobelli: Na u mohua një penallti në fund, korrigjojmë me Kastriotin
Teuta u mposht nga Vllaznia me rezultatin 1-0 në “Loro Boriçi” në ndeshjen e javës së 33-të të Kategorisë Superiore. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, kapiteni i durrsakëve, Blerim Kotobelli, shprehet se pavarësisht se Teuta nuk fitoi, ekipi gjatë pjesës së dytë bëri një ndeshje të mirë dhe i mungoi vetëm goli.
Mbrojtësi shprehet se Teutës iu mohua një penallti në fund nga gjyqtari Erjon Bastari. Blerim Kotobelli kërkon përqendrim ndaj Kastriotit, pasi përballë kanë një skuadër që do të mbijetojë dhe nuk ka vend aspak për neglizhim.
Çfarë nuk funksionoi ndaj Vllaznisë?
Përpara kësaj ndeshjeje e kemi ditur se çfarë vështirësish na prisnin. Ndikoi disi ai goli i pësuar aksidentalisht. Më pas nuk jemi rrezikuar në asnjë moment. Sulmuam dhe patëm shumë raste, teksa na mungoi vetëm goli në pjesën e dytë, që mund të vinte nëse arbitri do të akordonte atë penallti në fund. E dinim që Vllaznia do të mbrohej dhe do të luante me kundërsulm. Duhet ta harrojmë këtë ndeshje dhe të vazhdojmë përpara.
Ju pamë në fund të ndeshjes tek arbitri, çfarë kontestuat?
Ishte një penallti evidente në fund të ndeshjes, por arbitri i rishikoi pamjet në VAR dhe në fund nuk akordoi 11-metërsh. Çfarë të them më shumë, ishte penallti, nuk e akordoi. I thashë në fund pse nuk e dha, nuk foli dhe kaq.
E diela vjen shpejt dhe përballë keni Kastriotin në Durrës. Si e prisni?
Është një ndeshje e fortë. Ata kanë një skuadër shumë të mirë, na pret një kundërshtar i fortë, që kërkon të mbijetojë. Duhet të futemi në fushë të impenjuar, detajet e vendosin ndeshjen. Duhet të fokusohemi te ndeshja e radhës, të tjerat i mendojmë më vonë.
Koha për ta përgatitur ndeshjen është e paktë, mendoni se ekipi do të jetë gati për këtë 90-minutësh?
Unë jam i bindur që ekipi ka forcën, por dhe kurajën që është më kryesorja dhe ka shpirtin e garës për t’u paraqitur në fushë sa më mirë të jetë e mundur. Ne e dimë që kemi përballë një kundërshtar të fortë. Për mua personalisht Kastrioti është ekip i mirë, pavarësisht se janë në vend të fundit. Por ne jemi të përgatitur duke parë angazhimin, por edhe shpirtin e garës që çunat japin në stërvitje, por edhe në ndeshje do të jetë një ndeshje shumë e fortë.
A mund të themi që sezoni i Teutës varet nga dy ndeshjet e ardhshme me Kastriotin dhe më pas Egnatian?
Duhet ta kuptojmë që është një ndeshje e fortë dhe të gjithë çunat e dinë. Duhet të kalojmë nga kjo ndeshje për të shkuar te tjetra. Duhet të jemi 100% të përqendruar dhe pastaj të mendojmë për ndeshjen e radhës, siç kemi bërë gjithmonë. Besoj se të gjithë që janë në këtë skuadër, do të japin maksimumin e tyre. Statistikat tregojnë që ndaj Kastriotit keni hasur vështirësi dhe se nuk i keni mundur asnjë ndeshje këtë sezon… Statistikat vlejnë për të shkuarën, por futbolli është e tashmja. Do të bëjmë maksimumin, që të fitojmë këtë ndeshje. Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm, të përmirësohemi ndeshje pas ndeshjeje.
ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"