Kontrata e re, Myler do i thotë lamtumirë Bajernit në vitin…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2023 | 8:40

Kontrata e re, Myler do i thotë lamtumirë Bajernit në vitin…

Tomas Myler rezulton lojtari më jetëgjatë në kontigjentin e Tomas Tuhelit, çka e bën “legjendë të gjallë” në kampin e rekordmenëve gjermanë. Mosha “e thyer” si futbollist protagonist dhe rënia e rendimentit ka sjellë bindjen te bordi se lojtari me numër “25” në gjirin e kampionëve të Bundesligës i ka ardhur koha e “pensionimit” nga klubi, marrë në konsideratë edhe konkurrencën e lartë në fazën ofensive.

myler

Por dëshira e Mylerit për të luajtur në finalen e Ligës së Kampionëve, e cila zhvillohet në Mynih (2025), gjithmonë nëse bavarezët ia dalin t’i shkojnë deri në fund kompeticionit, do të ishte momenti i duhur për të varur “këpucët në gozhdë”. Drejtuesit në një situatë të vështirë kanë rënë dakord t’u “nënshtrohen” pretendimeve të futbollistit me origjinë nga Bavaria, por jo në të gjitha pikat.

KUSHTET E MYLERIT

Kampioni i botës në “Brazil 2014” me tipare ofensive, i cili ende i ka rezistuar moshës dhe konkurrencës, i ka kërkuar klubit të ketë të njëjtën pagë sa kontrata ekzistuese, pra në kufirin e 21 mln eurove në sezon, aq sa përfiton edhe “plakushi” Nojer, ky i fundit rinovoi javën e kaluar me të njëjtën shifër. Pikërisht edhe beniamini i tifozëve bavarezë kësaj ideje i mëshon. Megjithatë, nuk është e vetmja kërkesë prej lojtarit në fjalë. Ai do rol titullari në fushë, ndonëse statistikat e rivalëve në ciklin aktual janë më të larta.

VENDIMI I DREJTUESVE

Për të gjithë kontributin e dhënë ndër etapa në ekip nga Myler, “Bild” thekson se bordi është zënë ngushtë dhe e ka gjetur gjuhën e përbashkët në planin financiar, 21 mln euro në sezon, ndonëse për ta pretendimi duket paksa i tepruar, e shoqëruar me justifikimin e moshës dhe zbehjen e formës.

Kushti si titullar nuk ka gjetur terren sipas raportimeve nga prestigjiozja e mësipërme. Përveç periudhës aktuale, autori i golit në finalen e Champions-it përballë Çelsit në 2012 do të duhet të “dergjet” edhe vitin pasues si zëvendësues.

Kjo pikë nuk ka asnjë negociatë nga Tuhel, i cili i beson “verbërisht” pozitën e “10”-shit talentit Xhamal Musiala, ndërsa në linjat e sulmit Koman dhe Sane s’preken nga 11-shi fillestar. Kontrata do të jetë vetëm 1-vjeçare, ashtu siç e përcakton rregulli i miratuar nga klubi për lojtarët mbi moshën 30-vjeçare, ama në këtë rast si e fundit, pra rinovimi i lamtumirës.

Gjithçka pritet të finalizohet përpara Krishtlindjeve me Kristof Frojnd, “arkitekt” i përmbylljes së operacionit të ndërlikuar. Tomas Myler ka fituar çdo trofe të mundshëm me rekordmenët e Gjermanisë dhe pengu i triumfit në Champions përballë tifozërisë në “Allianz Arena”, e cila mbahet në ciklin 2024-2025 mund t’i japë fund pritjes së 34-vjeçarit si profesionit. Finalja e humbur në Ligën e Kampionëve ndaj Çelsit ende djeg, por Kejn me shokë mund t’i plotësojnë dëshirën e fundit ikonës së gjallë nga Bavaria.

Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"