Besniku i Partisë bleu 400 milionë më shtrenjtë materialet sportive
Nga VIRON BEZHANIBesniku i partisë, shoku Fidel Ylli, jam i detyruar t’ju përgjigjem pasi unë i drejtova një letër kryeministrit për një shqetësim që kisha për institucionin që unë kam drejtuar prej 8 vitesh, ndërsa ju me shpifje të ulëta e keni kthyer në një debat privat. Shoku Fidel, kush jam unë e kush jeni ju e di mirë komuniteti sportiv. Në këtë artikull po ju radhis disa dallime thelbësore midis meje dhe jush:
1. Si sportist besoj e dini mirë kush jeni ju, që vetëm një herë ju nxori Partia në vend të parë (inspektori i klubit Dinamo, Besniku, metoda rraskapitëse), kurse unë 13 vjet radhazi kampion me punën time e jo me dhurata partie.
2. Si trajner e dini vetë si dështuat, ndërsa unë për 20 vjet me ekipin që drejtoja kam zënë vendin e parë dhe kam më shumë medalje ndërkombëtare mbas vitit 1990.
3. Si drejtues federate besoj i dini vetë arritjet, sepse e keni thënë vetë në mbledhjet e kryesisë që bënim.
4. Shkollën e lartë unë e bëra ditën dhe pa ndihmën e Partisë, kurse ju e dini mirë si e keni marrë me korrespondencë dhe me…
5. Në institucionet që kam drejtuar janë thënë fjalët më të mira për korrektësi dhe aftësi, deri te ndërmarrja e fundit, Trajtimi Studentor, që kur sollën vendimin për lëvizje nga detyra, u ngritën dhe bënë peticion 1100 studentë. Por përderisa ishte vendim politik d hashë dorëheqjen vetë, kurse ju shoku Fidel ishit një “bodyguard” shumë i “suksesshëm”, ku krahas punës bënit edhe biznes.
6. Në politikë, ju shoku Fidel, keni qenë 8 vjet deputet dhe nuk e keni ngritur asnjëherë zërin për sportin, madje keni qenë dhe anëtar i komisionit të sportit (nuk po e përmend në fund të mandatit ligjin e sportit që u bë, se ju e dini mirë se kush e bëri dhe ju vetëm u mburrët), kurse unë shoku Fidel kam qenë 8 vjet këshilltar bashkie dhe në çdo mbledhje diskutoja patjetër edhe për sportin, pa bërë kompromise, madje me shumë përpjekje miratova vendimin për pagat e sportistëve të klubit Tirana, ku nga 3000 (tremijë) lekë në muaj ua bëra 25,000 (njëzetepesëmijë) lekë dhe 40,000 (dyzetmijë) lekë për sportistët nivel i lartë.
Pra çdo gjë në jetë unë e kam ndërtuar me punë dhe jo duke përdorur Partinë apo njerëzit e shtëpisë. Një gabim të madh kam që nuk ju njoha mirë ju dhe Stavron se çfarë manipulatorësh jeni, duke gënjyer me paturpësi siç ishte edhe intervista juaj e fundit, ku thatë se mua më ka zgjedhur Stavro Bello në KOKSH. Turp t’ju vijë, pasi e di i gjithë komuniteti i sportit që Stavro luftoi për Partinë në fuqi që ishte z.Genc Boga e megjithatë unë e propozova përsëri për sekretar. Megjithatë këto pika janë për ju dhe për ata që ju dëgjojnë ju, ndërsa për Sportin dhe institucionin e KOKSHit ka shumë rëndësi që të jemi transparentë për vendimet që marrim.
Prandaj shoku Fidel duke e harruar kush jam unë e kush jeni ju, ju lutem përgjigjuni këtyre pyetjeve:
1. Pse nuk bëhet transparenca e duhur për bilancet e KOKSH-it nga viti 2019 e në vazhdim, duke i pasqyruar në faqen zyrtare?
2. Pse në blerjen e materialeve sportive me fondin 1 miliard e 400 milionë lekë ndër 6 firma, ka fituar firma me ofertën më të shtrenjtë (400 milionë më shtrenjtë)?
3. A ka vendim kryesie për pagesën 457 milionë lekë një televizioni privat për të transmetuar aktivitetet e fëmijëve në shkolla?
4. Projektin e 5 milionë dollarëve e ideuat ju, e miratuat në komitet dhe pastaj në asamble, bashkë me federatat e basketbollit dhe volejbollit apo ua imponoi qeveria dhe ju e zbatuat si ushtar…?
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"