Çiklizmi me kalendar të ngjeshur, jo krahasimeve mes federatave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2023 | 21:08

Çiklizmi me kalendar të ngjeshur, jo krahasimeve mes federatave

Nga SKËNDER ANXHAKU

skender anxhaku

Ju shkruajmë në lidhje me artikullin e botuar së fundmi në lidhje me mbështetjen financiare të akorduar për federatat sportive nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve. Artikulli përmbante informacion të përgjithshëm, duke u ndalur vetëm te tabela dhe listimi i granteve që ka marrë secila nga federatat, por nuk përmendte në asnjë moment programin e federatave, objektivat që ka secila prej tyre, duke qenë se jemi një vit para Lojërave Olimpike 2024, apo qoftë edhe faktin që secila disiplinë sportive ka specifikat dhe vështirësitë e veta.

Në atë artikull, Federata Shqiptare e Çiklizmit përmendej më shume se një herë për shumën e akorduar nga MAS-i. Më lejoni t’u bëj një përmbledhje të shkurtër të planit vjetor të FSHÇ-së për vitin 2023. Objektivi kryesor i federatës është rritja e numrit të sportistëve, organizimi i evenimenteve sportive dhe përfaqësimi i Shqipërisë në evenimentet ndërkombëtare, siç janë Kampionati Ballkanik, Europian dhe Botëror.

Këtë vit FSHÇ-ja do të hapë siparin e evenimenteve sportive në datën 25 shkurt 2023, me një garë në disiplinën e “crosscountry”, me pjesëmarrës 200 nxënës të shkollave të Tiranës, e cila pasohet nga një garë tjetër në datën 26 shkurt 2023 në disiplinën e rezistencës. Kalendari i evenimenteve sportive, që do të organizohen nga FSHÇja, përveç garave njëditore, përmban dhe dy evenimentet më kryesore të përvitshme, që janë Kampionati Kombëtar dhe Turi Çiklistik i Shqipërisë.

Të dy evenimentet janë të regjistruara në kalendarin sportiv të Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI), që do të thotë, se nga këto evenimente çiklistet shqiptarë kanë mundësi të fitojnë pikë që i ndihmojnë për të siguruar pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike.

Vitin e kaluar, Ekipi Kombëtar Shqiptar i Çiklizmit u rendit në vend të parë si ekip e si individ dhe pikët e marra në kompeticionet ndërkombëtare çiklistike e klasifikuan Shqipërinë në vendin e 45-të në ranklistën botërore.

Kjo do të thotë, që deri tani kemi siguruar një kuotë për në Lojërat Olimpike “Paris 2024” dhe për ta ruajtur këtë kuotë duhet të kemi të njëjtën performancë dhe për vitin 2023. Para se të flas për disa nga specifikat e turit të Shqipërisë, dua të përmend për dijeninë e lexuesve, se ky eveniment është turi i 3-të më i vjetër në botë dhe daton që prej vitit 1925, pas turit të Francës dhe Xhiros së Italisë.

Turi i 80-të i Shqipërisë është një eveniment ndërkombëtar dhe për 5 ditë rresht mbi 100 çiklistë nga vende të ndryshme do të përshkojnë më shumë se 900 km në Shqipëri. Standardet e garës janë të përcaktuara nga UCI dhe duke qenë se terreni sportiv është rruga, organizimi dhe logjistika për organizimin e këtij evenimenti janë mjaft sfiduese dhe vend kryesor sigurisht zënë masat e sigurisë për pjesëmarrësit, të cilat kërkojnë përfshirjen e një numri të madh personeli që shoqëron grupin e çiklisteve gjate garimit.

Kostoja financiare e këtij evenimenti për FSHCnë është mbi 1.000.000 lekë. Gjithashtu, përveç terrenin ku zhvillohet dhe praktikohet sporti i çiklizmit, specifika tjetër janë pajisjet sportive, biçikletat, helmetat, veshja, të gjitha këto kosto financiare më vete jo pak e ulët, mjafton të bëni një kërkim “online” dhe do të shikoni se sa është kostoja për secilën. Nuk po ndalem më tepër, duke përmendur detaje të tjera, por besoj se ky informacion ju jep një ide të qartë në lidhje me buxhetin e akorduar nga MAS-i për Federatën Shqiptare të Çiklizmit.

Nëse është shumë apo pak, besoj se ky informacion e tregon qartë gjithashtu. Duke respektuar punën tuaj dhe ndihmën e jashtëzakonshme që media ofron në promovimin e sportit, shpresoj që në të ardhmen, kur ju të publikoni sërish tabelën e ndarjes së fondeve, të reflektoni dhe mbi faktin se çdo disiplinë sportive ka specifikat dhe vështirësitë e veta.

ciklizem shqiperia

Krahasimet midis federatave të disiplinave të ndryshme sportive nuk është aspak etike dhe totalisht joprofesionale, për më tepër nxisin një fryme antisportive. Ne kemi të njëjtin objektiv, përfaqësimi sa me dinjitozi Shqipërisë në të gjitha evenimentet ndërkombëtare, por rruga dhe sfidat për secilën disiplinë janë ndryshe. I vetmi krahasim që ne si federatë bëjmë është me performancën që kemi pasur vitin e mëparshëm dhe se çfarë mund të bëjmë më mirë në të ardhmen.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"