“Koha për fitore”, Shkëmbi: Bylisi është kundërshtari më i vështirë i Superiores në fushën e vet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2024 | 9:27

“Koha për fitore”, Shkëmbi: Bylisi është kundërshtari më i vështirë i Superiores në fushën e vet

Bledi Shkëmbi kërkon të fitojë ndeshjen e parë në Kategorinë Superiore. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i bardhebluve pranoi se skuadra e tij, tani ka kohën që të marrë tre pikët që i mungojnë prej 270 minutash.

shkembi

Shkëmbi analizoi pushimin e skuadrës, por jo vetëm. Foli për dëmtimet që ka grupin, mungesën e Përgjonit, faktin që tani barazimet duhet të kthehen në fitore. Trajneri nuk polemizoi me Malotën si dhe vlerësoi shumë ekipin e Bylisit, që sipas tij është një nga skuadrat më të forta në fushën e vet.

Do të luani me Bylisin në Ballsh. Cili është vlerësimi juaj për këtë skuadër?
Një kundërshtar që meriton respekt. Një kundërshtar që ka një pikë më shumë se ne, këto tre javë. Gjithmonë në fushën e tij është ndoshta kundërshtari më i vështirë, gjithmonë duke menduar për mirë, jo diçka tjetër, pra flas për lojën. Shpresoj shumë që të jemi në ditën tonë më të mirë.

Pushimi i Kombëtares sa e ka ndihmuar skuadrën bardheblu në aspektin e konsolidimit?
Ndryshe nuk kemi bërë ndonjë gjë. Jemi stërvitur. Djemtë në stërvitje bëjnë maksimumin dhe sigurisht japin maksimumin si gjithmonë. Kam rastin t’i përgëzoj. Ne na ka shërbyer për disa lojtarë që nuk kanë qenë fizikisht në më të mirën e tyre. Shpresoj që nesër(sot) të jemi në maksimum.

Si është gjendja e skuadrës dhe cilët lojtarë do të mungojnë në këtë sfidë?
Në fakt, na është rikthyer Jordi Jaku. Përgjoni vazhdon të jetë jashtë dhe vazhdon të ketë probleme. Pjesa tjetër është pothuajse e njëjtë. Nga ndeshja e fundit disa nga futbollistët kishin probleme të vogla apo edhe virozë. Për ndeshjen me Bylisin për fat të mirë çdo gjë është në rregull.

Statistikat thonë që Tirana nuk mundet prej 10 takimesh ndaj Bylisit. Lënë mënjanë shifrat, a është kjo java që Tirana duhet të marrë fitoren e parë, pas tre barazimeve?
Patjetër që po. Është radha që duhet të fitojë Tirana, por kjo në teori, sepse në praktikë është çdo gjë ndryshe. Kjo në kuptimin që ne duhet të bëjmë maksimumin për ta fituar ndeshjen. Duhet të bëjmë më shumë sesa kemi bërë. Ne nuk mund të kënaqemi më me lojën e mirë deri diku. Në futboll vjen një moment ku të rëndësishme janë pikët. Jam i bindur që do të bëjmë mirë. Do të japim maksimumin dhe shpresoj që edhe fatin ta kemi me vete.

Sa pikë mund të marrë Tirana në fazën e parë të kampionatit?
Nuk e di këtë gjë. Për mua është e rëndësishme që nesër të marrim tre pikë.

Malota, kapiteni i Egnatias tha se Tirana me të vetmen gjuajtje në portë shënoi gol dhe mori një pikë. Keni për të thënë diçka?
Malota është futbollist i Egnatias. Ai ashtu e sheh ndeshjen. Për ne ajo sfidë ka mbaruar. Kemi analizuar çdo gjë dhe nuk e shoh të arsyeshme të jap përgjigje për futbollistët e skuadrave të tjera.

Ndihet presioni i mungesës së fitores?
Jo. Kemi presion në kuptimin e mirë. Kemi presion dëshire për ta fituar takimin. E thashë edhe më lart. Që nga ne stafi, jemi të ndërgjegjshëm që nuk duhet të kënaqemi me lojë të mirë. Tre ndeshje në kampionat i bëmë. Pavarësisht se jemi një skuadër e re, kjo nuk do të na justifikojë, por kjo duhet të na shtyjë që të mbledhim pikë maksimale në kampionat.

Përgjonin kur do ta shohim në fushën e lojës?
Përgjoni për fat të keq duhet të vazhdojë edhe 2-3 javë rikuperim.

Do të ketë rotacion skuadra për shkak të kalendarit të ngjeshur?
Të them të drejtën jo. Nuk e kam menduar. Ndeshja tjetër është pas 4-5 ditësh. Është fillimi i kampionatit. Për ne deri pas ndeshjes, më e rëndësishmja është sfida me Bylisin. Më pas do të bëjnë llogaritë nga ana fizike apo taktike për ndeshjen tjetër.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"