“Klubit i premtoj maksimumin, Vlora më pëlqen shumë si qytet”. Divara: Te Flamurtari, të gjithë për një qëllim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2024 | 10:50

“Klubit i premtoj maksimumin, Vlora më pëlqen shumë si qytet”. Divara: Te Flamurtari, të gjithë për një qëllim

Bangaly Diavara erdhi në Vlorë në momentet e fundit të merkatos, por mesfushori po tregon cilësitë e tij duke ndihmuar skuadrën. Mesfushori i qendrës nga Bregu i Fildishtë, u prezantua si futbollist i Flamurtarit më 30 gusht, ndërsa te kuqezinjtë erdhi pas eksperiencës te Ballkani i Kosovës për një sezon.

diavara flamurtar

21-vjeçari ka pasur eksperiencë edhe në Itali te Sasuolo Primavera, si dhe në Francë tek Olimpik Saint-Kuentin. Goli i shënuar nga Diavara në Kukës, në fillimin e pjesës së dytë, rezultoi vendimtar duke u dhënë vlonjatëve tri pikë. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Bangaly Diavara thotë se ndihet i lumtur për golin e shënuar, si dhe për faktin se i dha fitoren Flamurtarit. Mesfushori është ambientuar shpejt në Vlorë, duke theksuar se janë një familje, ndërsa premton maksimumin e tij për rritjen e objektivit madhor që klubi ka.

Kush është Bangaly Diavara?

Unë kam lindur më 25 mars 2003 dhe shtetësia ime është Bregu i Fildishtë. Futbollin e kam pasur pasion që në fëmijërinë time. Kam luajtur në Itali, Francë dhe së fundmi në Kosovë. Tani jam shumë i lumtur që kam ardhur në Shqipëri, për të dhënë kontributin tim te Flamurtari.

Si ndihesh në klubin tënd të ri?

Ndihem shumë mirë këtu. Jam pritur mjaft mirë nga drejtuesit e klubit, trajneri dhe stafi teknik. Unë i falënderoj të gjithë për besimin dhe për mundësinë që më kanë dhënë për të ardhur këtu në Vlorë. Jam në një klub të madh dhe me traditë e histori. Kjo më bën shumëfish të kënaqur për zgjedhjen e bërë.

Në Kukës shënuat, duke vulosur fitoren, jeni i kënaqur për këtë gjë?

Jam shumë i lumtur që shënova, sepse goli im i dha mundësi ekipit të fitonte tri pikët. Bëra detyrën. Gjithmonë kur shënon dhe ndihmon skuadrën është një emocion shumë i mirë. Jam shumë i lumtur edhe për faktin se dolëm me fitore nga ajo transfertë.

Çfarë premton se do të japësh te Flamurtari?

Premtoj maksimumin tim. Duam që të ndihmoj ekipin dhe të arrijmë qëllimin e përbashkët që kemi të gjithë. Premtoj një paraqitje shumë të mirë në lojë, por gjithashtu nuk do të ishte keq që të vazhdoja dhe të shënoja gola të tjerë.

Sa i vështirë të duket kampionati i Kategorisë së Parë?

Është një kampionat i vështirë, por shpresoj t’i arrijmë qëllimit dhe të realizojmë objektivin që kemi si klub.

Si e vlerësoni atmosferën në skuadër?

Më pëlqen skuadra, sepse ne jemi një familje këtu. Jemi një grup dhe punojmë të gjithë bashkë për një qëllim.

Po qyteti si të duket, jeni ambientuar?

Vlora është një qytet i bukur. Klima është shumë e mirë, ka det dhe vende shumë të bukura. Kam pak kohë që kam ardhur këtu, por më pëlqen shumë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"