Klubi i Serisë A nuk ofroi sa duhet, drejtori rus tregon prapaskenat me Dakun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2024 | 21:33

Klubi i Serisë A nuk ofroi sa duhet, drejtori rus tregon prapaskenat me Dakun

Mirlind Daku ishte pranë ndryshimit të skuadrës në merkaton e verës, por lëvizja e tij u shty me shumë mundësi për në janar. Disa ekipe interesoheshin për shërbimet e sulmuesit, ndërsa drejtori sportiv i Rubin Kazanit, Konstanti Dzuba ka treguar pse shqiptari nuk u largua nga klubi rus. Ai është shprehur se interesimi për Dakun u rritu pas Europianit “Gjermani 2024”.

mirlind daku

Ndër klubet më të interesuara për 26- vjeçarin ishin nga Kaljari në Serinë A. “Për të ka pasur interes si para Europianit ashtu edhe pas tij. Ka pasur oferta zyrtare. Ne i kemi negociuar. Pas Europianit, interesimi për të është rritur ndjeshëm. Para së gjithash, aspekti financiar nuk na përshtatej, kështu që më tej negociatat nuk kishin kuptim”, tha Dzuba.

SHITJA E MUNDSHME

Drejtori sportiv nuk e ka përjashtuar mundësinë e shitjes së Dakut gjatë vitit të ardhshëm: “Ne jemi në bisedime të vazhdueshme me Mirlindin. Si çdo lojtar, ai ka motivin për t’u rritur. Ai ka ambicie, por ajo që më pëlqen tek ai është se ai ka vlerat e duhura.

Në këtë fazë ai është i kënaqur me gjithçka në Rubin. Kur vjen koha për të ndryshuar diçka, do ta diskutojmë së bashku dhe do të marrim një vendim të përbashkët”, tha drejtori sportiv i Rubin Kazan për “business-gazeta.ru”. Mirlind Daku ka shënuar gjashtë gola dhe ka kontribuar me tre asistime në 12 ndeshje për Rubin Kazan gjatë këtij sezoni.

POSTIMI

Sulmuesi mungoi dy javë për shkak të një shqetësimi në kavilje, ndërkohë pasi u rikthye në ndeshjen e fundit, Daku shkroi në rrjetet sociale: “Pas dy javësh të vështira, me terapi dhe pa stërvitje, jam shumë i lumtur që ndihmova skuadrën time në këtë fitore të madhe”, shkruan ai.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"