Klubi i Kategorisë së Parë feston ditëlindjen, kryebashkiaku premton: Stadiumi i ri gati për 100-vjetor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2023 | 22:26

Klubi i Kategorisë së Parë feston ditëlindjen, kryebashkiaku premton: Stadiumi i ri gati për 100-vjetor

Në sallën qendrore të Pallatit të kul turës “Kavaljon”, dje ish-futbollistë, trajnerë e tifozë kanë kremtuar 98-vjetorin e themelimit të KS Besa. Në të morën pjesë kryetari i Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja, presidenti Nexhat Bizhdili, i deleguari i FSHF-së anëtar i komitetit ekzekutiv Sulejman Demollari, qindra adhurues të verdhezinjtë, si edhe të ftuar të tjerë.

besa

Himni i flamurit dhe një minidokumentar me historikun e klubit hapën këtë ceremoni. Kjo ditëlindje e gjen Besën në ditët e saj më të errëta. Kanë 10 vite rresht që i mungojnë Superiores dhe këtë sezon e kanë nisur si mos më keq.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Nexhat Bizhdili ngriti shqetësimin e mungesës së stadiumit dhe i kërkoi kryebashkiakut vetëm një gjë: rindërtimin e stadiumit. Prej vitesh ai impiant ka degraduar dhe është zaptuar nga delet e dhitë. Gjë ka detyruar ekipin të bredhë nga njëri qytet në tjetrin.

KRYEBASHKIAKU

Me interes të madh u prit fjala e kryetarit të Bashkisë Kavajë, i cili dha lajmin e madh. Lajmin që prej vitesh e presin mijëra kavajas, ndonëse u premtua në disa fushata elektorale. Fisnik Qosja garantoi se në muajin nëntor do të nisë shembja dhe 100-vjetori do ta gjejë stadiumin gati.

fisnik qosja

“Gjatë fushatës kurrë nuk kam premtuar ato që nuk kisha garanci se do të realizoheshin. Kështu që nuk munda të premtoj edhe ndërtimin e stadiumit të Kavajës. Por si një kavajas, çdo ditë, çdo sekondë, çdo minutë, kam menduar edhe për futbollin. Për këtë arsye, nga dita e parë që mora detyrën kam nisur tratativat për të gjetur donatorë e për t’ua plotësuar këtë dëshirë bashkëqytetarëve të mi. Sot mund t’u them se në nëntor do të nisë shembja e stadiumit ekzistues, që do t’i hapë udhë ndërtimit të stadiumit të ri. Uroj e besoj se 100-vjetori i klubit do ta gjejë qytetin me stadium të ri”, tha numri një i bashkisë.

PROJEKTI

Si për të përforcuar këtë premtim, në monitor u shfaq edhe projekti i stadiumit të ri. Një impiant që do të ketë kapacitet 5 mijë vende, luksoz dhe nuk mungonin as qindra vende parkimi.

Investimi do të jetë në bashkëpunim me bashkinë dhe FSHF-në, por edhe donacione të huaja. Kjo ceremoni u drejtua nga kolegu Dëfrim Methasani dhe u shoqërua me një tjetër moment prekës.

Dy ikonat e Besës, Vullnet Dedej, ish-mesfushor, trajner i Besës, por, mbi të gjitha, themelues i klasave sportive, fidanishte nga të cilat lindën futbollistët e mëdhenj e që sot fatkeqësisht nuk jetojnë më, si dhe Bajram Hushi një ish-mbrojtës brilant i Besës, mësues i edukimit fizik, u nderuan me titullin “Nderi i Qytetit” pas vdekjes.

Shumë emocione u përjetuan në sallë, teksa në monitor u shfaq “Mjeshtri i madh” Muharrem Karriqi që jeton në Itali. Ai është parë teksa lotonte për stadiumin “Besa”.

Ky ceremonial vijoi me promocionin e vëllimit të dytë të ciklit “Yjet e futbollit kavajas” të gazetarit Fatmir Efica. Ky libër sjell para futbolldashësve kavajas dhe jo vetëm, disa nga ikonat e futbollit verdhezi. Ceremonia u mbyll me një kokteil.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"