“Këtu të ofendojnë me fjalor të kulturuar si “bir i ku*vës”, “pe*erast”, “të vdektë nëna””, Ançeloti, i prerë: Vinicius nuk ikën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2023 | 19:22

“Këtu të ofendojnë me fjalor të kulturuar si “bir i ku*vës”, “pe*erast”, “të vdektë nëna””, Ançeloti, i prerë: Vinicius nuk ikën

Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti, ka folur në konferencën për shtyp për takimin kundër Vejekanos. Siç edhe ishte e pritshme, përballja me fqinjët e Madridit është lënë në “harresë”, teksa vëmendja ka qenë te ngjarjet e ndodhura në Valencia ku u përfshi sulmuesi i Realit, Vinicius Zhunior.

anceloti vinicius

Trajneri italian u ka kërkuar ndjesë tifozëve të Valencias pas deklaratave të ashpra të bëra prej tij të dielën e kaluar, por duke mos toleruar asnjë shenjë racizmi. “I kërkoj ndjesë Valencias. Natyrisht që nuk ishin 46 mijë vetë në stadium që kanë ofenduar Viniciusin apo lojtarët e tjerë të Realit. Por mos më thoni se ishin vetëm 2 apo 3 persona…”, ka deklaruar italiani.

Duke vijuar qëndrimin e tij për temën e racizmit, Ançeloti ka theksuar se kultura në stadiumet spanjolle është shumë larg asaj në Premier Ligë. “Kur shkon në Spanjë të luash në transfertë duket sikur po shkon në luftë. Është krejt e kundërta e asaj çfarë ndodh në Premier Ligë. Atje shkohet për t’u argëtuar në stadiume”, nënvizoi Ançeloti.

Trajneri i Realit nga ana tjetër nuk ka pranuar asnjë shenjë tolerimi të mundshëm ndaj sjelljeve raciste. “Përtej racizmit, duket se në stadiumet spanjolle është diçka e zakonshme të ofendosh. Ajo që tha Ksavi më duket shembullore: Pse ne tentojmë të normalizojmë fyerjet në futboll? Kjo duhet të ndalet. Je në stol dhe dëgjon pas teje të të ofendojnë me fjalor të kulturuar “bir i ku*vës”, “pederast”, “të vdektë nëna”. Ky është momenti i duhur për të reflektuar dhe për t’i dhënë fund jo vetëm racizmit, por edhe sjelljeve të tilla. Spanja nuk është raciste, por në Spanjë ka racizëm. Dhe duhet të ndryshojë. Nuk mund të fajësohet viktima”, reagoi ashpër trajneri italian.

Në fund italiani u ka vënë kapak dhe diskutimeve mbi të ardhmen e brazilianit. Sipas trajnerit të Realit, Vinicius nuk lëviz nga Madridi. “Nuk mendoj se Vinicius do të largohet nga Spanja, sepse ai e do futbollin, ai e do Realin e Madridit. Dashuria e tij për këtë klub është shumë e madhe dhe dëshiron të bëjë karrierë te Reali”, tha Ançeloti.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"