Kërkon triumfin në “Euro2024”, Anglia merr me vete në Gjermani edhe… parfumet
Anglia do të udhëtojë në “Euro 2024” me aromën e saj për t’i bërë lojtarët të ndihen sikur të ishin në shtëpinë e tyre. “Tre luanët” janë në të njëjtin grup me Serbinë, Danimarkën dhe Slloveninë në turneun e kësaj vere. Ndërsa shkojnë në Gjermani me shpresën për t’i dhënë fund pritjes së tyre 58-vjeçare për të fituar një trofe, skuadra e Anglisë do të qëndrojë në resortin luksoz “Golfresort Weimarer Land”, pranë qytetit të qetë të Blankenhainit.
Sipas “Daily Mail”, Federata Angleze e Futbollit do të paketojë me vete në çantat e tyre aroma të veçanta për t’i spërkatur nëpër hotel në mënyrë që t’u japë lojtarëve një ndjenjë familjariteti. Aromat janë të njëjtat që përdoren në bazën stërvitore të kombëtares në Londër, “St George’s Park”. Një përzierje bergamoti, zambaku dhe jasemini do të spërkatet rreth zonave kryesore të akomodimit, e cila është një aromë e freskët dhe e dallueshme. Në palestër, do të spërkatet një aromë që synon të japë energji. Dhe në dhomat e gjumit, një aromë livando do të hidhet për të ndihmuar lojtarët të pushojnë. Futbollistët e Anglisë gjithashtu thuhet se do të marrin me vete çarçafët dhe peshqirët e tyre personalë të dushit, për të krijuar ambientin komod të shtëpisë së tyre.
KURIMI I DETAJEVE – Trajneri Garet Sauthgejt do të bëjë gjithçka për të siguruar lavdinë në Gjermani këtë verë dhe është menduar deri në detaje të tilla dhe njerëzit e tij po kurojnë çdo kriter që mund t’u japë atyre një avantazh në konkurrencën me rivalët. Ka pasur studime shkencore që pretendojnë se aromat mund të përmirësojnë performancën për sportistët, pasi ato ndihmojnë në mirëqenien mendore dhe nxisin relaksimin e trurit larg fushës. Anglia do të akomodohet në “Golfresort Weimarer Land”, një resort me pesë yje, i cili ndodhet në një vend të largët, një orë e gjysmë me makinë nga qyteti i Lajpcigut.
Hoteli ka fusha futbolli dhe 45 gropa golfi për të luajtur. Yjet e Anglisë do të kenë gjithashtu akses në një pishinë, bilardo, pingpong dhe futboll tavoline. Në hotel nuk mungon kurrsesi palestra, një qendër bukurie dhe relaksi, dhoma e trajtimit, salla të shumta konferencash dhe ka shtatë restorante. Një dhomë kushton 300 paund për një natë. Klubet e QPR-së dhe Verder Bremenit e kanë përdorur këtë bazë për kampe stërvitore parasezonale në të kaluarën.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"