“Kemi reflektuar për gabimet”, sulmuesi i Turbinës: Nuk do të dalim pa pikë në ndeshjen me Skënderbeun
Turbina vijon përgatitjet normalisht dhe sot ka programuar një tjetër miqësore, e cila do të jetë e fundit para rifillimit të kampionatit më 11 dhjetor.
Cërrikasit do të luajnë me 21-vjeçarët e Kukësit në kryeqytet dhe trajneri Bledar Devolli do të vijojë të provojë të gjithë lojtarët.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi kryesor i cërrikasve, Gerald Dezhgiu, është shprehur optimist për vazhdimësinë në kampionat.
“Kemi marrë një ngarkesë më shumë dhe na bëri mirë kjo ndërprerje kampionati. Në radhë të parë, për të reflektuar ndaj gabimeve dhe pikëve që kemi lënë në javët e kaluara. Së dyti, për një ngarkesë fizike, të cilën e kemi të nevojshme më shumë se kurrë. Edhe miqësoret, pavarësisht rezultateve, na ndihmuan shumë. Mendjen tashmë e kemi te transferta e Korçës. Do të jemi krejt ndryshe ndaj Skënderbeut dhe nuk do të dalim pa pikë”, deklaroi tiranasi.
MARIGLEN MIRAKA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"