Kejn vendos objektivin: Pas 100 ndeshjesh dua 100 gola
Herri Kejn synon të arrijë kuotën e 100 golave për Anglinë përpara se të varë këpucët në gozhdë, ndërsa dje arriti kuotën e 100 ndeshjeve me fanellën e përfaqësueses. Kapiteni i “Tre Luanëve” u nderua mbrëmë në ndeshjen e Ligës së Kombeve kundër Finlandës në “Wembley” me suvenirin e artë, për të kremtuar 100 ndeshjet e tij që e futën sulmuesin në histori.
31-vjeçari, i cili është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Anglisë me 68 gola, dëshiron një rekord edhe më të jashtëzakonshëm. I pyetur për arritjen e shumë rekordeve ndërkombëtarë, sulmuesi i Bajernit të Mynihut u përgjigj: “Është padyshim e mundur. Jam në një pozicion të mirë dhe ky është një objektiv i mirë për t’u arritur. Disa mund ta shohin atë si jorealiste, por unë do ta tentoja dhe nëse nuk do t’ia dilja, atëherë do të isha i qetë për të thënë: ‘Do të jem i lumtur me 70 ose 80 gola’”.
REKORDMENI – Kejn, për të cilin ishin përgatitur një palë këpucë të arta këtë javë për të shënuar pikërisht rekordin e 100 ndeshjeve me fanellën e Anglisë, do t’i bashkohet Peter Shiltonit, Uejn Runit, Dejvid Bekhamit, Stiven Xherrardit, Bobi Murit, Eshli Kolit, Bobi Çarltonit, Frenk Lampardit dhe Billi Rajtit në klubin e lojtarëve që kanë luajtur 100 ndeshje me kombëtaren. Ish-ylli i Totenhemit shtoi: “100 ndeshjet kanë ardhur kaq shpejt, veçanërisht vitet e fundit kur luani tre turne të mëdhenj në një hapësirë të shkurtër kohe. Në ato vite kam luajtur rreth 15, 16, 17 ndeshje në vit. Është e ngjashme edhe me golat. Isha në kuotën e 30 golave dhe më pas, bam, shkova në 50 dhe më pas në 60”. Duke kujtuar karrierën e tij të deritanishme me kombëtaren, Kejn zgjodhi disa nga golat e tij më të paharrueshëm në karrierën me “Tre Luanët”.
GOLI I PARË ME ANGLINË – “Debutimi im kundër Lituanisë në mars 2015. Kishte shumë zhurmë për gjatë atij grumbullimi, sepse unë po luaja mirë për Totenhemin. Unë pata një pritje të mirë dhe brenda pak minutash shënova një gol. Nuk mendoj se mund ta kisha ëndërruar më mirë debutimin tim. Miqtë dhe familja ime ishin aty. Ishte një natë vërtet e veçantë”.
GOLI I PREFERUAR – “Është mes dy golave për mua. Kundër Gjermanisë, atë në ‘Wembley’ në ‘Euro 2020’. Gjithashtu, goditja me kokë kundër Tunizisë në Kupën e Botës 2018. Ai momenti i shënimit të një goli fitoreje në minutën e fundit në Kupën time të parë të Botës ishte i veçantë”.
GOLI MË I BUKUR – “Ai që shënova në Poloni jashtë fushe, në një ndeshje të vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës në 2021. Ishte nga 25 metra”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"