Kategoria Superiore/ Ja formacionet e javës së 25-të dhe notat e skuadrave
“Panorama Sport” ju paraqet notat e skuadrave për atë që dhanë në javën e 25-të të Superiores, formacionin më të mirë dhe të dobët të kësaj jave.
NOTAT E SKUADRAVE
VLLAZNIA 8 – Shkodranët tregojnë forcën në duelin për “Final 4” kundër Dinamos, duke e mposhtur minimalisht 1-0 falë një supergoli të Rejan Alivodës. Kuqeblutë vuajtën deri në fund për të mbajtur avantazhin, por edhe ky fakt është një vlerë e shtuar për momentin e mirë që po kalon skuadra në fazën mbrojtëse. Tashmë Vllaznia është forca e dytë e kampionatit dhe gjashtë pikë më pak se Egnatia kryesuese.
SKËNDERBEU 8 – E godet Partizanin për herë të dytë këtë sezon dhe me ndeshje thuajse “fotokopje” të njëra-tjetrës, qoftë në fazën e parë, ashtu edhe së fundmi, që i përket fazës së tretë. Korçarët shënuan nga penalltia me Dean Liçon dhe ditën të mbronin rezultatin. Mbrojtja ishte “blind”, duke lënë pak hapësira për sulmuesit e kuq.
ERZENI 8 – Në Kukës shijakasit tregojnë “dhëmbët” dhe një skuadër me karakter që nuk dorëzohet kurrë. E pësojnë në pjesën e parë dhe më pas shfrytëzojnë në maksimum dobësitë e kundërshtarit. Kahrimanoviç dhe Zeka shënuan golat e përmbysjes, që vlejtën si 6 pikë ndaj rivalit direkt në luftën për mbijetesë, duke bërë një hap të madh përpara.
LAÇI 6 – Ndeshje heroike e kurbinasve kundër Tiranës në “Elbasan Arena”. Edhe pse me 10 lojtarë për pjesën më të madhe të lojës pas daljes me të kuq të mbrojtësit Paulo Zhunior, bardhezinjtë vendosën në vështirësi Tiranën, duke e barazuar dhe madje iu afruar fitores në fund. Të besuarit e Josës dhanë sinjale të qarta për vazhdimësinë.
TEUTA 5 – Në Rrogozhinë ka fatin me vete, pasi në dy raste ndëshkohet, por sistemi VAR ia anuloi golat Egnatias. Me pak kujdes mund të godiste përmes kundërsulmeve, por një pikë nuk është aspak keq.
EGNATIA 5 – Provon me të gjitha mënyra për të thyer durrsakët, por kryesuesit në fund konfirmojnë se Teuta është tersi i tyre. Dy gola të anuluar nga teknologjia janë si ngushëllim për rrogozhinasit, që gjithsesi zhvilluan një lojë të mirë dhe meritonin më tepër.
TIRANA 4.5 – Nuk di të “vrasë” ndeshjen, duke kujtuar se mbaroi gjithçka pasi kaloi në avantazh kundër Laçit. Shthuret dhe përveçse nuk shfrytëzon epërsinë numerike, rrezikon të humbasë. Moment delikat për bardheblutë, me trajnerin Fagu që kërkon të ndryshojë diçka.
DINAMO 4.5 – Bën një lojë të mirë kundër Vllaznisë dhe deri në fund provon të shënojë, por këtë herë sulmuesit nuk kanë shënjestrën e duhur, ndërsa godasin edhe traversën. Humbasin kundër rivalit direkt për “Final 4”, por me një lojë që jep garanci për vazhdimësinë.
PARTIZANI 4 – Në Korçë bën një lojë “akademike” dhe vuan agresivitetin e korçarëve, duke qenë shumë larg portës kundërshtare dhe pak i rrezikshëm. E pësoi nga një penallti, por reagimi nuk ishte i duhuri. Kampionët në fuqi kanë luhatje në lojë dhe rezultate.
KUKËSI 4 – Bën gjithçka mirë deri në minutën e 60-të, por strategjia kundër Erzenit prishet nga një penallti. Më pas ekipi futet në kolaps dhe humbja me një rival direkt për mbijetesë, e afron me “greminën”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"