Kategoria e Dytë/ Tomori gati për Luftëtarin. Iliria prezanton trajnerin pas largimit të Devollit, Gramshi pret 4 afrime
Shorti i Kategorisë së Dytë i ka rezervuar Tomorit një surprizë në start, pasi do të përballen me një rival direkt për ngjitjen në të Parën, si Luftëtari. 17-vjeçari Klejdon Arbëri, për “Panorama Sport” ka komentuar shortin dhe kundërshtarin e tyre në start:
“Më mirë kështu, me Luftëtarin është një takim me historinë mes dy skuadrave të njohura. Luftëtari meriton vlerësimin dhe respektin tonë maksimal, sepse janë kundërshtari ynë direkt për ngjitjen në të Parën. Do jetë një ndeshje emocionuese dhe jemi besimplotë se do ta nisim mbarë kampionatin edhe me një transfertë kaq të rëndësishme sa kjo në Gjirokastër. Koha nuk premton, por jemi të gatshëm të përballojmë këtë sfidë dhe të kërkojmë fitoren, sepse jemi Tomori dhe luajmë me detyrimin që ka fanella jonë”. EDI SPAHIU
Iliria prezanton trajnerin Alfred Allamani
Në prag të startit të sezonit të ri Iliria ka zgjidhur edhe çështjen e pankinës, pas dorëheqjes së trajnerit Bledar Devolli. Përmes një postimi në rrjetet sociale, klubi ka prezantuar Alfred Allamanin dhe i ka uruar mirëseardhjen trajnerit të ri. Ja njoftimi I klubit: “Klubi i Futbollit Iliria bën me dije se është arritur marrëveshja me trajnerin Alfred Allamani. I urojmë mirëseardhjen dhe suksese në familjen bardheblu”. Iliria ka bërë një merkato me lojtarë me përvojë dhe shpreson te arritja e objektivit madhor. Fushë-krujasit e nisin sezonin e ri në transfertë, ku të shtunën e 21 shtatorit janë mysafir në Pukë.
Koçi: Gramshit pret edhe 4 lojtarë të tjerë
Gramshi është thuajse gati për startin e sezonit të ri. Në një prononcim për “Panorama Sport”, zv.trajneri Ledio Koçi u shpreh: “Jemi përforcuar shumë në merkaton e verës, por presim dhe disa lojtarë cilësorë. Na duhet një portier, një mbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues.
Kemi bërë disa ndeshje miqësore dhe jemi të kënaqur me skuadrën. Javën e ardhshme nisim kampionatin dhe shpresojmë të na ecë mbarë, me fitore. Falënderojmë bashkinë që na ka mbështetur dhe do të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë edhe në këtë sezon. I ftoj tifozët të na mbështesin edhe më fuqishëm këtë sezon, pasi kemi nevojë për ta”. Gramshi e nis sezonin e ri në transfertë e Kuçovës ndaj Naftëtarit. MARIGLEN MIRAKA
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"