Kategoria e Dytë/ “Çudira” te Butrinti, heq katër titullarë pas fitores në Cërrik
Butrinti arriti një fitore të rëndësishme në transfertë gjatë javës së fundit kundër Turbinës, duke u afruar me tri pikë nga Luftëtari kryesues. Mirëpo, dje klubi sarandjot largoi 4 lojtarë titullarë, dy prej të cilëve kishin luajtur nga 90 minuta në sfidën e fundit në Cërrik.Bëhet fjalë për vëllezërit Serxhinjo dhe Orsi Ageja, si dhe afrikanët, Dikson dhe Agu. “Klubi KS Butrinti njofton se, pas një analize të hollësishme të situatës dhe planeve tona për të ardhmen, kemi vendosur që lojtarët Eche Dikson, Stefan Agu, si dhe vëllezërit Serxhinjo Ageja dhe Orsi Ageja, nuk do të jenë më pjesë e ekipit tonë.
Këto vendime vijnë si pjesë e riorganizimit të strukturës së skuadrës dhe përputhjes me objektivat strategjikë të klubit. Kujtojmë se, më herët, nga ekipi janë larguar edhe portieri Anderson, sulmuesi Sebastian Llana, si dhe mesfushori Serxhio Tafa, duke i falënderuar për angazhimin dhe kontributin e tyre gjatë periudhës që ishin pjesë e KS Butrintit”, citohej ndër të tjera në komunikatën e klubit.
FATOS LAMAJ- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"