Kastrioti gjen shpëtimin me golat e sulmuesit Dejvid Kapllani, ka shënuar 6 herë në pesë ndeshjet e fundit
Kastrioti i Krujës, më në fund duket se ka gjetur goleadorin, mungesa e të cilit ndikoi shumë në ecurinë e skuadrës në pjesën e parë të sezonit. Gjetja e “bomberit” u mundësua në merkaton e janarit, ku drejtuesit e klubit krutanë afruan durrsakun Dejvid Kapllani, i cili në pjesën e parë të sezonit ishte pjesë e skuadrës së Fushë-Kosovës.
Ai është autor i gjashtë golave për Kastriotin në 5 ndeshje ku është aktivizuar deri tani. Më parë, Kapllani ka luajtur për Teutën dhe Erzenin. 22-vjeçari është djali i ish-portierit të Teutës, Xhevahir Kapllani. Me fanellën e Kastriotit ai i ka shënuar Korabit, Vorës, Lushnjës, Apolonisë dhe së fundi dy gola ndaj Bylisit që i dhanë fitoren krutanëve.
Pas ndeshjes me mallakastriotët në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” Kapllani pohoi se ndihet i lumtur që po kontribuon për Kastriotin dhe ka falënderuar shokët e skuadrës për ndihmën që i kanë dhënë në fushë.
“Ndaj Bylysit ishte një ndeshje shumë e luftuar dhe shumë e vështirë për ne. Por, ishim përgatitur t’i bënim ballë kryesuesve të kampionatit, që jo më kot mbajnë nga fillimi vendin e parë në klasifikim. Arritëm të fitonim tri pikë të çmuara, për t’iu larguar disi zonës së rrezikut, ku aktualisht ndodhet ekipi. Në ndeshjet e fundit Kastrioti ka luajtur mjaft mirë, por me sa duket fati nuk na ka ndihmuar në disa raste. Shpresoj që kjo fitore të jetë një shenjë e mirë për vazhdimësinë.
Do të punoj fort që të vazhdoj të shënoj dhe ta ndihmoj me sa mundem ekipin. E kam thënë edhe më parë se për këtë qëllim kam ardhur te Kastrioti, të rritem si futbollist dhe të ndihmoj ekipin. Një falënderim shkon për shokët e skuadrës që po më ndihmojnë për të realizuar objektivin personal. Tani jemi të përqendruar te takimi i radhës, ku në fundjavë do të kërkojmë fitoren e radhës ndaj Besës”, u shpreh golashënuesi i skuadrës krutane, Dejvid Kapllani.
SHKËLQIM HASANI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"