Kastrioti “fluturon” me Kapllanin ndaj kavajasve, trajneri Lorenc Pashja tregon pse u largua nga Besa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2024 | 18:15

Kastrioti “fluturon” me Kapllanin ndaj kavajasve, trajneri Lorenc Pashja tregon pse u largua nga Besa

Kastrioti ka arritur të kalojë edhe pengesën e fundit të fazës së dytë, Besën e Kavajën, që para takimit humbi trajnerin e saj. Lorenc Pashja nuk u paraqit në Fushë-Krujë për të drejtuar skuadrën  dhe “Panorama Sport” mësoi nga burime pranë kavajasve se shkak është bërë dorëheqja e papritur e trajnerit.

Pashja Besa

Kastrioti fitoi në shifrat 3-1 dhe arriti që ta mbyllë fazën e dytë në vendin e tetë me 23 pikë duke qenë larg zonës së rrezikut, ndërsa Besa mban vendin e 10-të me 19 pikë. Pjesa e parë përfundoi në shifrat 1-1, ndërsa në të dytën krutanët përmbysin gjithçka, ku sërish doli në skenë sulmuesi Dejvid Kapllani që shënoi dy gola dhe i dha Kastriotit një trepikësh “ të artë” për mbijetesën ndaj kavajasve.

Besa kaloi e para në avantazh, ku në minutën e 26-të shënoi Balla. Por 10 minuta më vonë krutanët barazojnë shifrat me Mehmetin. Pjesa e dytë ka një ritëm tjetër për Kastriotin, ku i zakonshmi Dejvid Kapllani doli sërish në skenë. Goditja e merkatos së dimrit arriti që në minutën e 54-t të kalojë Kastriotin në avantazh duke shënuar me kokë golin e dytë. Në të 81-ën është sërish Kapllani që me kokë vulosi shifrat e fitores së Kastriotit në 3-1.

PASHJA-

Lorenc Pashja dha dorëheqjen nga Besa disa orë para ndeshjes dhe dje preferoi që të shikonte Luzin ndaj Burrelit, duke mos udhëtuar drejt Fushë-Krujës. Për “Panorama Sport” Pashja sqaroi largimin nga Besa: “Humbja me Bylisin më mërziti, pasi doja rezultat pozitiv dhe mundësitë i patëm. Fola me presidentin dhe gjykova të mos vazhdoj më. Besës i uroj suksese”. Ekipi kavajas në këtë takim u drejtua nga ndihmësi i Pashjes, trajneri kosovar, Fidaim Haxhiu.

Ndreu: Fitore e merituar

Kastrioti mori një fitore me përmbysje ndaj Besës dhe më në fund e shikon veten jashtë zonës së rrezikut. Pas këtij suksesi, Ramadan Ndreu, trajneri i Kastriotit u shpreh: “Një ndeshje mjaft e luftuar. Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, ndërsa në të dytën arritëm të shënojmë, pasi lojtarët ishin më të përqendruar. Morëm një fitore të merituar. Tani do të përgatitemi për ndeshjet e fazës së tretë”.

SH.HASANI/ F.FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"