Kapiteni kërkon korrigjimin e gabimeve, Perja: Futbolli nuk është balet, duhet Besë agresive për të mbijetuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2024 | 13:00

Kapiteni kërkon korrigjimin e gabimeve, Perja: Futbolli nuk është balet, duhet Besë agresive për të mbijetuar

Në fundjavën e shkuar, Besa pësoi humbjen e tretë radhazi, ku në Vorë u mundën në shifrat 3-0. Duke marrë parasysh fitoren e Burrelit në Vlorë, kavajasit ndodhen në një situatë të pazakontë. Në asnjë sezon Besa nuk ishte gjendur në këto pozita, duke u pozicionuar në zonën “play-out”.

perja duke festuar golin te Besa

Për kapitenin Skerdjan Perja, kjo është situatë e papranueshme për një ekip si Besa. “Kurrë më parë, për një dekadë e gjysmë që unë jam te Besa, nuk jemi ndodhur në këtë situatë. Kemi gabuar shumë në dy fazat e para, ku si asnjëherë në histori kemi marrë vetëm 4 fitore. E pafalshme për ne. Nëse deri në janar mund të justifikohej me idenë se kishim lojtarë të rinj, pa përvojë, pas merkatos është pritur një situatë krejt ndryshe. Në fakt, po shkojmë nga humbja në humbje”, u shpreh fillimisht Perja për “Panorama Sport”.

Po çfarë po ndodh me këtë ekip të investuar fort në janar nga presidenca e Besës? Çfarë nuk shkon dhe ku duhen vënë pikat mbi “i”? Për Skerdjan Perjen, ky grup ka nevojë të bëjë korrigjime në çdo aspekt, por më kryesorja në grintën, lojën burrërore dhe dyluftimet në fushë. “Vërtet që shkolla kavajase e futbollit bazohet në lojën me topin. Kjo nuk duhet kurrsesi të anashkalojë luftën e fortë për topin e parë. Është e pafalshme që të qarkullosh topin, të gabosh e të mos luftosh për ta rifituar atë. Mendoj se ky është defekti ynë kryesor kur dihet tashmë se në Kategorinë e Parë futbolli bazohet në forcë e dyluftime.

Nuk do pranoja kurrë të bëheshin ndërhyrje të palejueshme, por edhe të luash sikur bën balet, kjo nuk ka justifikim. Përtej kësaj, kemi pasur e kemi problem në mënyrën sesi luajmë. Në Vorë pësuam gola të lehtë, ndërkohë që kur vjen radha jonë të shënojmë, falim pa pikë përgjegjësie. Këto duhet të marrin fund. Ndeshja me Elbasanin në Luz? E patë besoj Elbasanin teksa mundi Luzin vetëm me penallti.

Besoj se kemi grup më të mirë se Luzi dhe mund e duhet t’ia dalim. Dallimi qëndron në dëshirën, sakrificën, luftën që Luzi dëshmon në fushë, por edhe një kundërsulm ‘vrasës’. Një ndihmëse e madhe për ne është fakti se luajmë në Luz dhe do kemi mbështetjen e shumë tifozëve tanë”, u shpreh kapiteni Perja.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"