Kapiteni i Erzenit, Migone: Do të largohemi nga zona “e ftohtë”, nuk e meritojmë këtë pozicion
Skuadra e Erzenit ka arritur të marrë barazimin e dytë, me rezultatin e bardhë 0-0 ndaj Besës kryesuese, në stadiumin “Tofik Jashari”. Djemtë e trajnerit Ergys Luga kanë bërë një paraqitje të mirë, kanë shpalosur vlerat e tyre në këtë takim.
Argjentinasi 28-vjeçar që mbajti edhe shiritin e kapitenit, Rodriko Migone, i cili ishte edhe më i miri në fushë, beson te ecuria e skuadrës. “Shumë shpejt ne do të largohemi nga zona e ftohtë. Në këtë ndeshje kemi treguar, se skuadra ka forca për të ecur përpara. Nuk na takon të mbajmë atë pozicion që kemi në klasifikim. Me skuadrën kryesuese kemi luajtur si të barabartë dhe kemi shpërdoruar raste. Nëse sulmuesit do të tregoheshin me të qetë përballë portierit mik, mund ta kishim fituar ndeshjen”, tha kapiteni. Faza e parë e kampionatit përfundon pas tre javëve, por kjo nuk favorizon Erzenin, që ka dy ndeshje në transfertë me Burrelin dhe Apolonin, por dhe një në shtëpi me Vorën që ka të njëjtin objektiv, Superioren.
Trajneri Ergys Luga në përfundim të takimit të së dielës ka falënderuar skuadrën për atë që dha në fushë. “Një falënderim i përzemërt sot shkon për lojtarët, të cilët kanë qenë vendimtarë për 90 minuta. Gjithashtu edhe për tifozët e zjarrtë të Erzenit, që sot kanë qenë si gjithmonë lojtari ynë i dymbëdhjetë. Kjo skuadër i ka mundësitë për më shumë se kaq. Padyshim që meritonim fitore bindëse dhe jo barazim 0-0, por futbolli i tillë është. Nuk të jep gjithmonë atë që të takon. Ne do të vazhdojmë rrugën”, tha trajneri.
Albert Aliko- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"