Kapiteni dhe zv.kapiteni nuk duken në stërvitje me ekipin. Elbasani e ka seriozisht, pezullohen dy senatorët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2024 | 21:35

Kapiteni dhe zv.kapiteni nuk duken në stërvitje me ekipin. Elbasani e ka seriozisht, pezullohen dy senatorët

Pas dy ditëve pushim, Elbasani iu rikthye sot përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të kenë me Vorën ditën e hënë në “Elbasan Arena”. Një sfidë që në kampin verdheblu e kanë vlerësuar maksimalisht, edhe pse nuk vijnë në momentin e tyre më të mirë në këtë përballje.

elbasani, hila karakaci

Thuhet kështu, pasi në seancën e parë stërvitore pas ndeshjes me Flamurtarin ra në sy mungesa e dy prej lojtarëve të pezulluar për arsye disiplinore, kapitenit Abaz Karakaçi dhe zv.kapiteni Ardit Hila. Ka qenë vetë trajneri Nevil Dede ai që tregoi problemin me dy senatorët pas barazimit në Vlorë. Nga ana tjetër, elbasanasit vijojnë të kenë edhe probleme me dëmtimet, ku ajo më shqetësuesja është e Bruno Telushit.

 PEZULLIMI I DY SENATORËVE

Karakaçi dhe Hila nuk kanë qenë pjesë e verdhebluve në startin e javës përgatitore për ndeshjen e radhës me Vorën, që do ta luajnë të hënën në “Elbasan Arena”. Burime të “Panorama Sport” pranë klubit, pohojnë se mesfushorët janë pezulluar për momentin pa afat dhe mbetet për t’u parë se kur do të rikthehen dhe të bashkohen sërish me grupin. Lojtarët u vonuan në grumbullimin e skuadrës para nisjes për në Vlorë, duke sjellë më pas edhe pezullimin e tyre për këtë ndeshje, dhe që u dërguan në tribunë.

Duket se kapiteni dhe zv.kapiteni nuk do t’ia hedhin vetëm me kaq, pasi për momentin nuk janë në skuadër dhe qëndrojnë të pezulluar deri në një vendim të dytë. Mësohet se edhe në të kaluarën ka pasur situata të ngjashme me këta dy lojtarë, të cilat klubi i ka paralajmëruar, por pa i penalizuar. Përsëritja e sjelljes së tyre ka bërë që klubi të vendosë me “dorë të hekurt” të paktën edhe për këtë javë, ku ata nuk do të jenë pranë ekipit. Mbetet për t’u parë në vijim se çfarë do të ndodhë, pasi bëhet fjalë për kapitenin dhe zv.kapitenin e skuadrës, dy prej lojtarëve më me eksperiencë, të cilët shiheshin edhe si pjesë e projektit të Elbasanit në Superiore.

BRUNO TELUSHI

Një dëmtim që vazhdon të shqetësojë Elbasanin është ai i Bruno Telushit, i cili vijon të ndjejë shqetësime në këmbë, duke mos u stërvitur me ekipin. Mesfushori ka ndier dhimbje fill pas ndeshjes me Lushnjën dhe për të mos rrezikuar është lënë pushim. Gjasat janë që ai të mungojë edhe ndaj Vorës, ndërsa do të bëhet çmos që mesfushori të jetë të paktën gati për finalen me Bylisin. Nga ana tjetër, ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë sulmuesi Klement Bobi, i cili gjithashtu duhet të bëjë një javë pushim. Pjesa tjetër e skuadrës nuk paraqet probleme. Këto mungesa pritet t’u japin pak më shumë hapësirë lojtarëve të tjerë, që nuk kanë pasur shumë minuta në dispozicion.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"