Kapiten i skuadrës kavajase vlerëson fazën në Ersekë. Perja: Besa me ekip konkurrues, ja rivalët tanë në kampionat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2024 | 11:50

Kapiten i skuadrës kavajase vlerëson fazën në Ersekë. Perja: Besa me ekip konkurrues, ja rivalët tanë në kampionat

Besa po përgatitet në Ersekë. Nën drejtimin e trajnerit Mirel Josa kavajasit prej 10 ditësh janë shpërngulur në juglindje për fazën përgatitore. Për verdhezinjtë e rëndësishme është gjendja fizike e futbollistëve, të cilët janë duke marrë ngarkesën e plotë.

perja besa

Kjo pohohet dhe nga vetë futbollistët, të cilët ndjehen komod dhe pranojnë se kanë dëshirë të qëndrojmë edhe për disa ditë në Ersekë, për vetë klimën e favorshme. Kapiteni Skerdian Perja, i cili ka disa vite që luan për ekipin e qytetit të tij, Besën, pranon se faza përgatitore po zhvillohet në kushte të favorshme dhe gjendja është pozitive. Kjo transmetohet dhe në klimën e krijuar brenda grupit. “Ndodhemi këtu në Ersekë që prej 10 ditësh dhe përgatitjet e kryera deri tani kanë qenë mjaft intensive, por duhet pranuar edhe të lodhshme. Megjithatë, nga të gjithë futbollistët sinjalet janë pozitive dhe kjo ndihet në çdo seancë stërvitore. Po mundohemi të japim më të mirën.

Kampionati i së Parës është shumë i fortë dhe i ngjan shumë atij të Superiores, pasi në të konkurrojnë ekipe si, Flamurtari, Apolonia, Erzeni, Kukësi. Ekipe këto që kanë përvojë jo të vogël elitare. Pavarësisht lodhjes që mund të ndiejmë, asnjë nuk ankohet. Kjo fazë përgatitore në Ersekë po na shërben shumë të gjithëve dhe besojmë se do të paraqitemi me një ekip kompetitiv. Na mbetet dhe një jave për t’u stërvitur në Ersekë dhe besoj se gjatë kësaj kohe do të zhvillojmë dhe disa takime miqësore. Me afrimet në ekip, konkurrenca është më e madhe. Roli im kryesor është tepër i rëndësishëm në repartin difensiv të Besës”, përfundon kapiteni Perja. Pas humbjes në testin e parë me Pogradecin, në shifrat 1-0, Lushnja pritet të jetë kundërshtari i radhës në këtë fazë përgatitore.

KOÇO LILO- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"