Kaos me ndeshjen e prapambetur të Superiores, Teuta dhe Dinamo tani nuk bien dakord për datën
Ndeshja e prapambetur e Kategorisë Superiore mes Teutës dhe Dinamos, ka sjellë përplasje mes dy klubeve, duke vënë në diskutim zhvillimin e duelit në fjalë sipas planit.

Sfida e javës së parë u shty për të ndihmuar Dinamon që të përgatiste më qetësisht ndeshjen e kthimit ndaj Jagiellonias në Ligën e Konferencës. Palët ranë parimisht dakord që dueli në fjalë të luhej më datë 5 shtator, gjatë periudhës së pauzës së kombëtareve dhe FSHF e programoi për këtë datë.
Por tanimë Dinamo nuk është dakord që të luhet në këtë datë, pasi pretendon se ka mungesa të rëndësishme të shkaktuara nga ekipet kombëtare, me Naser Alijin si shqetësimin kryesor meqë ëshë i grumbulluar me Shqipërinë.
Kësisoj, blutë kanë refuzuar që të luajnë më datë 5 shtator, ndërsa Teuta kërkon që të zbatohet akordi i arritur fillimisht. Palët nuk bien dakord, ndërsa nesër pritet të ketë një takim në FSHF për të vendosur përfundimisht se çfarë do të bëhet me sfidën në fjalë dhe nëse nuk luhet më datë 5 shtator, kur do të programohet ajo.
PANORAMASPORT.AL













