Kampioni Ilir Daja, një “okazion” për dy klubet e kryeqytetit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2024 | 22:42

Kampioni Ilir Daja, një “okazion” për dy klubet e kryeqytetit

Ndarja mes Ballkanit dhe Ilir Dajës duket shumë afër. Dhe po ashtu rikthimi në Superiore. Trajneri i suksesshëm kryeqytetas, me sa duket, është duke mbyllur një cikël fitues te kampionët e Kosovës. Me ta ka fituar tituj kampionë dhe ka shkuar dy herë në grupet e Ligës së Konferencës.

DAJA

Aktualisht e ka rrugën të hapur për të shkuar për herë të tretë, megjithatë në Kosovë e bëjnë fakt të kryes largimin e Ilir Dajës. Vetë trajneri 57-vjeçar ka pohuar së fundi për shtypin kosovar se “është trajner i Ballkanit”, por pa thënë se do të vazhdojë me këtë ekip dhe sezonin e ri.

Duket se vetëm pjesëmarrja në kompeticionet europiane e mban atë ende në krye të kampionëve të Kosovës. Sezoni i ri, sipas të gjitha gjasave, do ta gjejë atë dikur tjetër. Ilir Daja nuk është nga ata trajnerë që marrin vite sabatike. Ai me siguri do të punojë në një skuadër tjetër. Ku? Me shumë mundësi në Superiore…

PARTIZANI – Ilir Daja ka drejtuar të tria skuadrat e kryeqytetit në Superiore, përveç Skënderbeut, Flamurtarit dhe Besës. Pas largimit të pritshëm nga Ballkani, ai ka më shumë shanse që të punojë në Tiranë, por ende nuk mund të thuhet se me cilën skuadër. Tirana mund të përjashtohet në këtë rast, sepse e ka zgjedhur trajnerin e ri, Bledi Shkëmbin, vetëm pak kohë më parë. Partizani sapo ka mbyllur bashkëpunimin me Orges Shehin dhe për momentin ia ka besuar stolin drejtorit sportiv Arbër Abilaliaj.

Daja mund të jetë një opsion, pasi është një trajner që ka “bekimin” e presidentit Gaz Demi, edhe pse gjatë kohës që drejtoi Partizanit, para se të shkonte te Ballkani, nuk pati një ecuri edhe aq të mirë.

DINAMO – Një pistë tjetër e “ankorimit” të trajnerit që ka dalë kampion me 4 skuadra të ndryshme në karrierë dhe ka shkuar tri herë në fazën e grupeve të një kompeticioni europian, mund të jetë ajo e Dinamos, e cituar nga shtypi kosovar.

Blutë kanë një trajner në detyrë, Dritan Mehmetin, i cili u duk i rrezikuar pas mbylljes së kampionatit të kaluar, me vendin e 7-të që zuri, por më pas u konfirmua nga klubi. Megjithatë, në futbollin e sotëm asgjë nuk është e sigurt dhe jo më larg se një vit më parë te Dinamo ndodhi që pikërisht vendin e Mehmetit e mori italiani Luixhi Di Biaxho, për t’ia liruar sërish vetëm pas pak muajsh.

Me Dinamon Daja ka një lidhje më të fortë shpirtërore sesa me skuadrat e tjera, ka luajtur për të dhe e ka shpallur kampione si trajner. Nuk është për t’u përjashtuar si hipotezë. Një trajner si Ilir Daja do ta donin të gjithë.

KOHA – Për të plotësuar “mozaikun” e Ilir Dajës së sezonit të ri duhet pak kohë. Ndoshta çështje ditësh. Lëvizja e radhës në këtë situatë është mbyllja zyrtarisht e bashkëpunimit të trajnerit me Ballkanin. Pastaj do të shihet edhe ngjyra e tutave të trajnerit kryeqytetas, nëse do të jenë të kuqe, apo blu.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"