Kampione e trefishtë Europe, Carja: Jam stërvitur fort për 6 vite, tani dua medalje për U-20

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2023 | 10:27

Kampione e trefishtë Europe, Carja: Jam stërvitur fort për 6 vite, tani dua medalje për U-20

Tri medaljet e arta dhe pesë rekorde europiane në kampionatin Europian U-15 për peshëngritje, që u mbajt në Moldavi, e bëjnë sportisten nga Elbasani, Enkileda Carja, yllin e ri të shtangës shqiptare.

enkileda carja

Në një intervistë enkas për “Panorama Sport”, Carja rrëfen emocionet dhe çelësin e suksesit, të cilën ia dedikon trajneres dhe punës së palodhur që bën çdo ditë. Madje, nuk ka kohë as të festojë, sepse me të mbërritur në Elbasan ka nisur menjëherë përgatitjet intensive për kampionatin Europian U-20 që do të mbahet në Rumani. 15-vjeçarja tregon edhe urimin më të veçantë që ka marrë pas këtyre garave dhe emocionet në momentin e himnit shqiptar.

Enkileda, si ndiheni pas këtij suksesi në Europian dhe a i prisnit këto rezultate?

Ndihem jashtëzakonisht shumë e lumtur. Duke qenë se për rreth gjashtë vite jemi stërvitur fort me trajneren time çdo ditë, mendoj që këto rezultate ishin mjaft të pritshme.

Kujt ia dedikoni këtë rezultat dhe paraqitje historike?

Këtë rezultat ia dedikoj trajneres sime, Eglantina Çuni, sepse ajo ka qenë personi që ka sakrifikuar më shumë se kushdo tjetër për të arritur këtë rezultat.

Na tregoni pak emocionet e para kur u ngjitët në pedanë dhe deri te dëgjimi i himnit shqiptar?

Në fillim kisha pak emocione në momentet kur duhet të bëja provat, por ishin emocione pozitive dhe arrita t’i kontrolloja në momentin kur u ngjita në podium. Ishte vërtet një emocion i bukur dhe momenti kur është vendosur himni shqiptar. Ka qenë momenti më i bukur i jetës sime, ku emocionet ishin të papërshkueshme me fjalë. Emocionet po ua linin vendin lotëve që po mundohesha t’i përmbaja me zor. Ngritja e flamurit dhe vendosja e himnit ishin eksperiencë e re për mua dhe emocionet që ndjeva ishin të forta.

Cili ishte çelësi i suksesit për këto gara?

Çelësi i suksesit për këto gara është puna e palodhur trajnere – sportiste dhe stërvitja e fortë çdo ditë. E kemi thënë shpesh këtë gjë me trajneren, por realisht çelësi i vetëm i suksesit është puna dhe stërvitja çdo ditë.

Keni marrë shumë urime pas këtyre garave, cili ju ka bërë më shumë përshtypje që të ndiheni vërtet mirë?

Urimi më i veçantë dhe që nuk të jepet mundësia shpesh ta marrësh, e sidomos një 15-vjeçareje siç jam unë, është urimi i Shkëlqesisë së tij, Presidentit të Republikës Shqiptare, Z.Bajram Begaj.

Cilat janë synimet e ardhshme tuajat?

Synimet e ardhshme të miat janë që të jem pjesë e Kampionatit Europian për U20 që zhvillohet në Bukuresht të Rumanisë prej datës 24 korrik deri në 3 gusht. Dua ta përfaqësoj sërish denjësisht Shqipërinë, duke shpresuar edhe te përgatitja që po bëjmë që ditën sa u kthyem nga Rumania, ku menjëherë kemi vijuar me dy seanca stërvitore. Dua të hyj në zonën e medaljeve. Po ashtu, pse jo, të jem pjesë e Kampionatit Botëror për U20 që zhvillohet në Meksikë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"