Kampionati U-19/ Vllaznia super, shkëlqen Partizani. Shënkolli lë kreun mes tensionit në Laç
Shpërthejnë shkodranët, Nikaj supergol
Vllaznia gjunjëzon Tiranën dhe merr kreun e grupit A, duke përfituar edhe prej humbjes së Shënkollit në Laç. Në takimin e zhvilluar në fushën “Reshit Rusi”, rivalitet të madh ka pasur vetëm në 45 minutat e para. Loja ka qenë e ekuilibruar, me skuadrat që nuk treguan saktësi para portës. Kësisoj, ky fraksion u mbyll pa gola. Pas pushimit, mesa duket motivimi i trajnerit Luan Zmijani, ka bërë që shkodranët të jenë një tjetër ekip në fushë. Në minutën e 51-të Bizi ka shënuar një gol shumë të bukur, duke kaluar në avantazh kuqeblutë. Vllaznia dominon dhe pas vetëm 7 minutash, ia del të shënojë edhe golin e dytë me autor Ardit Nikajn.
Talenti shkodran bëri një sprint rreth 60 metra me topin në këmbë, duke shënuar një gol shumë të bukur. Më pas erdhi reagimi i bardhebluve, ku Avdiu rihapi takimin pas golit në minutën e 65-të. Mirëpo, për të shuar çdo shpresë të Tiranës për të dalë me pikë nga Shkodra mendoi sërish Nikaj, i cili vulosi fitoren 3-1/ ADMIR URUÇI
Koldashi, heroi i kuq
Partizani shkëlqen ndaj Internacionalit dhe ky takim ka vetëm një emër: Iljaz Koldashi. Talenti i të kuqve ka shënuar tre gola në portën e Bibës, duke u bërë protagonist absolut në fitoren 3-0 të skuadrës së drejtuar nga Reinaldo Kalari. Pjesa e parë u mbyll 1-0, ndërsa në të dytën Koldashi shënoi edhe dy herë për të rinjtë e “demave”/ ABDULLA DUSHKU
Teuta i falet Dashit
Goli i Dashit ka nderuar skuadrën e Xhevahir Kapllanit kundër Flamurtarit. Ka qenë një lojë me mjaft rivalitet, por Teuta ka pasur më shumë raste për shënim. Momenti vendimtar ishte në minutën e 60-të, kur Dashi dërgoi topin në rrjetë. Për rreth 35 minuta durrsakët luajtën me një lojtar më pak pas daljes me të kuq të Mustafallarit/ ZAMIR QYPI
Goleadë dhe tension
Gola, kartonë të kuq dhe tension. Laçi-Shënkolli ka qenë një ndeshje shumë e ndezur dhe me ndërprerje, teksa kurbinasit ia kanë dalë të marrin tri pikë. Dopietat e Lleshit dhe Bytyqit nderuan ekipin e Tanushit. Shënkolli e nisi me golin e Markut pas vetëm dy minutash. Më pas realizoi edhe Gjoka, por Laçi përmbysi gjithçka dhe fitoi 4-2/ ABDULLA DUSHKU
Më në fund… Dinamo
Më në fund Dinamo merr fitoren e parë këtë kampionat. Me ardhjen e trajnerit Bledi Kadiu, blutë mundën në Arbanë ekipin e Shkëndijës së Durrës me shifrat 2-1. Folat e Llagamit dhe Hasës u dhanë tri pikë shprese bluve për të mbijetuar në elitë. Nga minuta e 24-t skuadrat kanë luajtur me 10 lojtarë pas grindjes së dyshes, Ciku-Nasufi/ ABDULLA DUSHKU
Katër gola për 1 pikë
Derbi spektakolar në Pogradec mes të rinjve vendës dhe Skënderbeut, por në fund s’ka fitues. Miqtë shënuan me Peçanin në minutën e 44-t. Në fillimin e pjesë së dytë Pogradeci barazon pas një goditjeje këndi. I shpejtë ishte reagimi i korçarëve, të cilët shënojnë me penallti. Këtu pati edhe nervozizëm, ndërsa në fund barazoi Dervishaj/ REDI DANDALLAKU
Zhgënjejnë kampionët
Apolonia ka zhgënjyer totalisht ndaj Football Republic. Kampionët në fuqi morën një leksion të vërtetë nga skuadra e Erbim Fagut. Që në pjesën e parë miqtë shënuan 4 gola, fillimisht me Teqjen, ndërsa më pas Shahaj bëri dopietë dhe Hodo ktheu në gol një 11-metërsh. Fierakët realizuan golin e nderit me Gjatën në minutën e 71-të/ BUJAR RAMA
Besa bën tripletë
Besa ka qenë një kundërshtar shumë i fortë për Butrintin. Në Sarandë pati rivalitet të madh në pjesën e parë, ku vendësit iu përgjigjën më së miri golit të Muzhaqit, duke barazuar me Bashën. Në 45 minutat e dyta kavajasit bënë diferencën me Muhon dhe Haxhollin, duke realizuar dy gola të tjerë dhe vulosur triumfin 1- 3 në “Andon Lapa”/ TOMOR SHEHU
Elbasani, 1 pikë në fund
Akademia e Futbollit dhe Elbasani kanë prodhuar një ndeshje dramatike. Dijar Nikqi shënoi në fundin e pjesës së parë për vendësit dhe kur mendohej se gjithçka do të mbyllej me këtë gol, ndodhi ajo që nuk pritej. Vendësit u ndëshkuan nga një gol i Gjolenës në minutën e dytë shtesë. Një pikë shumë e rëndësishme për verdheblutë në transfertë/ ABDULLA DUSHKU
PANORAMASPORT.AL