Kampionat dhe Kupë, peshëngritja shqiptare mban aktivitetet e moshave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2024 | 23:15

Kampionat dhe Kupë, peshëngritja shqiptare mban aktivitetet e moshave

Me Shqipërinë që për herë të parë do të shkojë në Lojërat Olimpike pa asnjë shtangist, Federata Shqiptare e Peshëngritjes duket e fokusuar te moshat për të përgatitur brezin e ri që do të mbajë peshën në sportin më të suksesshëm të vendit në arenën ndërkombëtare.

peshengritje

Kështu FSHP ka vijuar traditën e viteve të fundit, duke i mbajtur garat në palestrën që ndodhet në bodrumin e Parkut Olimpik në Tiranë, aty ku të shtunën dhe të dielën janë mbajtur aktivitetet e moshave. Kështu për U-20 dhe U-23 dje u mbajt Kampionati Kombëtar. Ertjan Kofsha konfirmohet kampion absolut, teksa meritoi çmimin e sportisti më të mirë për U-20. Ndërsa për U-23 ishte Artur Kotarja ai që u vlerësua me si më i miri i kompeticionit.

Në rang ekipor për djem, kampione u shpallën Tirana për U-20 de Teuta për U-23. Në radhët vajzave sportistet me të mira të aktivitetit u shpallën Gea Dokollori për U-20 dhe Desjana Koni për U-23. Tirana mori trofeun e ekipit më të mirë për U-20, ndërsa Partizani triumfoi për moshat U-23.

Të shtunën u zhvillua Kupa e Shqipërisë për U-15 dhe U-17. Sportistja më e mirë për U-15 u vlerësua Maida Lozi, ndërsa në rang ekipor triumfoi Partizani. Për djem sportisti i kompeticionit u zgjodh Antonino Mullisi, ndërsa për ekipe trofeu i takoi Kamzës. Duke kaluar te moshat U-17, Enkileda Carja tregoi edhe një herë se i përket një tjetër niveli, duke merituar trofeun e më të mirës. Për sa u përket djemve spikati Samoel Rrasa, i cili meritoi çmimin e sportistit të Kupës. Për ekipe U17 triumfuan Tirana për femra dhe Shtërmeni për meshkuj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"