Kalendar “ferri” deri në fund të 2019-ës, portieri i Lushnjës s’e diskuton kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2019 | 12:31

Kalendar “ferri” deri në fund të 2019-ës, portieri i Lushnjës s’e diskuton kreun

Periudhën e ndërpre rjes së kampionatit lushnjarët po e shfrytëzojnë duke u përgatitur për pjesën e mbetur të ndeshjeve të këtij viti kalendarik. Kryesuesit e Grupit B kanë një kalendar relativisht të vështirë deri në fund të vitit 2019. 

lushnja

Skuadra verdhejeshile do të luajë fillimisht dy transferta radhazi, me Ilirinë dhe më pas me Shënkollin, për të vazhduar me derbin me Apoloninë në stadiumin “Roza Haxhiu”, përballjen tradicionale me Besën dhe për ta mbyllur pjesën e parë të sezonit në shtëpi me Devollin. Pas 8 javësh kampionat të luajtura, skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Gjyla udhëheq grupin me 18 pikë, 2 më shumë se Pogradeci dhe 4 më shumë se Apolonia, por detyra e vështirë është që ta mbajë atë, duke përballuar edhe një kalendar “ferri” si ky që ka përpara.

HAREMI – Portieri i Lushnjës, Oltjan Haremi, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” thekson se skuadra verdhejeshile është e vendosur për të mbrojtur kreun deri në fund të kampionatit. “Lushnja po stërvitet me qetësinë psikologjike që të sjell vendi i parë në grup.

Harremi-portieri

Jemi në krye dhe kjo është shumë e rëndësishme. Çdo ndeshje nga ne shihet si mundësi për të marrë pikët maksimale dhe të jemi gjithnjë të parët, duke u përmirësuar aty ku duhet. Patjetër që kemi bërë edhe gabime dhe duhet të mësojmë nga ato gabime që janë vënë re.

Deri tani Lushnja ka treguar se është pretendentja kryesore për ngjitjen në Superiore dhe kështu do të jetë deri në fund. Kreu do të jetë i yni”, është shprehur Haremi. Portieri 27-vjeçar ka luajtur 8 ndeshje të plota, 720 minuta në total, ku ka pësuar 8 gola, 2 prej të cilëve me penallti. Haremi ka pritur një penallti dhe është ndëshkuar vetëm një herë me karton të verdhë. Paraqitja e tij në këtë kampionat ka qenë stabël dhe porta lushnjare duket se ka gjetur njeriun e duhur për ta mbrojtur me dinjitet.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"