Kalafiori te Arsenali, goditja që “gatuhej” prej 10 vitesh
Arsenali zyrtarizoi të hënën transferimin e Rikardo Kalafiorit nga Bolonja për 42 milionë paund dhe ky është një proces që ka një dekadë që përgatitet. Mbrojtësi italian u bashkohet “Topçinjve” pas një sage të vështirë transferimi, duke filluar nga “Euro 2024”.
Mbrojtësi polivalent bëri përshtypje për Italinë gjatë turneut dhe pati një sezon të shkëlqyer për Bolonjën e Tiago Motës sezonin e kaluar. Ai ishte një pjesë thelbësore e skuadrës së Motës, duke ndihmuar Bolonjën të arrinte vendin e pestë dhe siguruar futbollin e Champions League për sezonin e ardhshëm. Kalafiori firmosi një marrëveshje pesëvjeçare në “Emirates”, duke forcuar një repart të fortë mbrojtës të skuadrës së Artetës. 22-vjeçari zbuloi se kishte ëndërruar për transferimin për një dekadë:
“Është një ndjenjë e mahnitshme. Ishte e vështirë deri më tani, por më në fund ne jemi këtu dhe mezi pres të stërvitem me ekipin dhe të luaj për tifozët. Në fakt ka qenë ëndrra ime që kur isha 12 ose 13 vjeç, sepse mund të shoh nivelin e ligës këtu dhe lojtarët më të mirë në botë, për mua luajnë këtu. Është një ëndërr. Kam folur shumë me trajnerin dhe me Edu (drejtori sportiv), dhe ata më bindën, por unë tashmë isha i bindur nga vetja”. Menaxheri i Arsenalit, Mikel Arteta tha për transferimin e dytë të tij këtë verë:
“Ne mirëpresim Rikardon dhe familjen e tij tek Arsenali. Ai është një nënshkrim i shkëlqyer dhe na jep forcë të madhe për të përforcuar mbrojtjen tonë. Rikardo është një personalitet dhe karakter i madh, me aftësi specifike që do të na bëjë më të fortë ndërsa përpiqemi të fitojmë trofe të mëdhenj. Ai tashmë ka treguar zhvillim të madh në sezonet e fundit me paraqitjet e tij si për Bolonjën ashtu edhe për Italinë, me përparimin dhe zhvillimin e tij në vitin e kaluar që ka qenë vërtet mbresëlënës”.
Kalafiori do të mbajë numrin 33 për klubin e tij të ri, një numër i fanellës i mbajtur më parë nga lojtarë të tillë si Peter Çeh dhe Artur Okuonko. Ai tashmë është bashkuar me shokët e tij të rinj në SHBA, ku londinezët e veriut po bëjnë aktualisht përgatitjet parasezonale. Kalafiori zbuloi gjithashtu se shoku i skuadrës tek Italia, Zhorzhinjo, luajti një rol në këtë transferim. Ai tha: “Është projekti më i mirë për mua për vitet e ardhshme. E takova Zhorzhinjon një muaj më parë, por mund ta shoh se ai është një djalë i mirë. Unë tashmë isha i bindur, por ai më detyroi. Ai tha: ‘Eja, eja, eja! Do ta shijosh të jesh këtu’”.
KARRIERA – Kalafiori e nisi karrierën e tij si lojtar te Roma, ku bëri vetëm 18 paraqitje, pasi u diplomua nga akademia e klubit. Ai më vonë u largua për t’iu bashkuar Xhenoas në formë huazimi, përpara se të largohej përgjithmonë për të nënshkruar me Bazelin në 2022. Pas një sezoni me klubin zviceran, ai u transferua te Bolonja verën e kaluar. Por rritja e tij meteorike vazhdoi, që do të thotë vetëm 12 muaj më vonë ai u rrëmbye nga “Topçinjtë”.
Për mrekulli, Kalafiori i bëri të gjitha këto, pavarësisht se një dëmtim i hershëm për pak i dha fund karrierës gjatë viteve të tij të adoleshencës. Italiani nuk luajti për 347 ditë pas një operacioni kur ishte vetëm 16 vjeç, por nuk u dorëzua dhe luftoi përsëri për të arritur në majë. Arsenali përballet me Liverpulin në një miqësore parasezonale në Filidelfia të mërkurën mbrëma, një ndeshje që mund t’u ofrojë tifozëve të Arsenalit një shije të parë për blerjen e tyre më të re.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"