Ka trashëguar numrin e Toni Krosit, Valverde: Ky është momenti im në Madrid
Federiko Valverde është një nga shumë lojtarët e Realit të Madridit që kanë lënë klubin spanjoll për t’iu bashkuar kombëtares së vendit të tij. Ai është grumbulluar me Uruguain për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2026 kundër Paraguait dhe Venezuelës.
Kapiteni i “çeleste”-ve, por përjeton një moment të veçantë në karrierën e tij. Pas tërheqjes së Toni Krosit nga futbolli, mesfushori uruguaian është bërë trashëgimtari i tij në Madrid. Valverde ka marrë fanellën me numrin 8 të Kros, teksa në ndeshjen kundër Betisit ka rënë në sy se emri i futbollistit gjerman ka qenë i stampuar në këpucët e lojës së mesfushorit. Mesfushori ka folur për situatën e re që po përjeton te Reali i Madridit pasi Kros vari këpucët në gozhdë. Me gjithë shpresën e vendosur tek Valverde që të merrte stafetën e ish-shokut të tij të skuadrës, duke ndryshuar numrin në “8” dhe duke i lyer flokët platin në fillim të sezonit, uruguaiani duket i kënaqur me këtë moment që po kalon.
“Vij me një entuziazëm të madh, i lumtur me mënyrën se si po shkojnë gjërat për mua në Madrid. Nga ky moment i ri me një numër tjetër, një ndjenjë tjetër… I lumtur që gjërat po shkojnë mirë. Ky është një nga momentet më të lumtura për mua te Reali dhe jam duke i shijuar çdo ditë”, është shprehur ai.
Duke qëndruar po te tema e Realit të Madridit, Fede Valverde ka theksuar se pavarësisht nisjes me oshilacione të sezonit, Reali do të kthehet në normalitetin e tij.
“Pritshmëritë për ne janë gjithnjë të mëdha. Nga ne pritet të fitojmë çdo ndeshje, kjo është e qartë. Kështu ka qenë gjithnjë. Ky fillim sezoni ka qenë disi ndryshe. Megjithatë kundër Betisit kemi dhënë sinjale të qarta. Jam i bindur se shpejt do të jemi në nivelin tonë më të mirë”, deklaroi uruguaiani.
Duke folur për Realin, kapiteni aktual i Uruguait ka pasur një moment për të folur edhe për njoftimin e fundit të Luis Suarezit, i cili do të tërhiqet nga kombëtarja pas ndeshjes në shtëpi kundër Paraguait.
“Duhet të respektojmë vendimin e tij. Ai meriton vetëm falënderime për gjithë këto vite që na dha mundësi, këshilla ne të rinjve… Ai meriton vetëm fjalë mirënjohjeje”, deklaroi ai.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"