Ka shënuar golin e fundit, mbrojtësi i Elbasanit: Jemi pa fat, si luftë me Partizanin
Elbasani doli pa pikë nga ndeshja me Vllazninë, edhe pse dha shenja se është skuadër e aftë të përballet me skuadrat që aktualisht janë në “Final 4”. Gjithsesi, në fund të 90 minutave dhe në situatën ku ndodhen verdheblutë, rëndësi kanë pikët dhe për fat të keq Elbasani nuk po i merr dot ato.
Për autorin e golit me shkodranët, që për fat të keq nuk i dha dot pikë skuadrës, Harallamb Qaqi, morali në skuadër është i mirë. Në daljen e tij para mediave, ai e sheh ngërçin më shumë në aspektin psikologjik, por beson se me rastet që po krijojnë, edhe golat do të vijnë dhe Elbasani do të rikthehet. “Pavarësisht humbjes me Vllazninë, morali është shumë i mirë dhe nga ana fizike po punojmë mirë. Më shumë është një ngërç psikologjik. Raste po krijojmë, por nuk po na vjen goli që të na e bëjë pak më të thjeshtë. Por me punë besoj se edhe golat do të vijnë”, u shpreh fillimisht mbrojtësi i skuadrës së Elbasanit.
PARTIZANI – Ndeshja e fundit e fazës së dytë i ka rezervuar Elbasanit një transfertë të vështirë, siç është ajo me Partizanin në kryeqytet. Në kampin verdheblu i kanë idetë e qarta në këtë aspekt, me Qaqin, që ka besim tek rezultati pozitiv. “Është shumë ndeshje e fortë, do të jetë e luftuar. Ne do të përpiqemi të japim maksimumin dhe të shpresojmë te një rezultat pozitiv. Shpresojmë që të rikthehemi te fitoret që na mungojnë”, theksoi mbrojtësi në lidhje me duelin e kësaj të shtune, ku një fitore do të mbante verdheblutë më pranë objektivave që kanë këtë sezon. Ndeshja e parë në “Elbasan Arena” u mbyll me rezultatin e bardhë 1-1, me skuadrat, që dolën me nga një pikë nga ajo përballje.
TRAJNERI I RI – Qaqi “ngacmohet” pak edhe për trajnerin e ri, Ivan Gvozdenoviç dhe metodat e tij të punës. Për mbrojtësin, duket se ka më shumë entuziazëm dhe tani të gjithë po presin kthesën në rezultate. “Situata nga ana morale është më mirë. Na ka rikthyer entuziazmin dhe mënyrën e stërvitjes, që kërkon intensitet më të lartë. Besoj se nga dita në ditë do të na injektojë më shumë në mentalitet dhe do t’i shfaqim më mirë në fushë. Kthesën në rezultate duam të gjithë. Edhe trajneri me mënyrën e stërvitjes dhe bisedat që kemi, mendojmë vetëm për fitoret, sidomos për këto dy ndeshjet të këtij viti”, tha për mediat mbrojtësi i Elbasanit.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"