Ka idhull Shevçenkon, Zhiru perfekt për Interin e Kontes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2019 | 12:35

Ka idhull Shevçenkon, Zhiru perfekt për Interin e Kontes

Italia është në fatin e tij, edhe pse fillimisht nuk kishte ngjyrat zikaltër. Ka idhull Shevçenkon, ndaj skuadra e referimit është Milani. Tani që ndodhet pranë Interit, Olivie Zhiru nuk gjendet i papërgatitur. Kujton diçka nga gjuha italiane prej disa kujtimeve nga fëmijëria dhe njeh në mënyrë të përkryer Konten që e ka stërvitur për gjysmën e dytë të sezonit 2017-’18 pasi e mori nga Arsenali. 

Zhiru

ME GOLIN NË GJAK – I lindur në Shamberi, jo larg nga kufiri italian, më 30 shtator 1986, Zhiru ka nisur të luajë te Grenoblë, por ka shfaqur për herë të parë gjithë talentin e tij si goleador me fanellën e Istresit (14 gola në sezonin 2007-’08). Më pas dy vite te Turs dhe dy te Montpelje, skuadra ku u afirmua: magjik sezoni 2011-’12 kur 21 golat e tij i garantuan titullin e kryegolashënuesit të Ligës 1, por mbi të gjitha titullin kampion të Francës. Menjëherë porsa festoi atë trofe, kaloi tek Arsenali për një shifër që mund të konsiderohet e ulët, rreth 15 milionë euro.

Me “Topçinjtë” ka koleksionuar një total prej 3 Kupash të Anglisë dhe 3 Superkpa, 253 ndeshje zyrtare dhe 105 gola të shënuar përpara se të kalonte te Çelsi. I përdorur shpesh sezonin e kaluar nga Sarri (45 ndeshje dhe 13 gola në të gjitha kompeticionet), rezultoi protagonist në Ligën e Europës me 11 gola, një nga të cilët në finalen e Bakusë kundër Arsenalit, e fituar 4-1. Kampion bote me Francën në 2018- ën (pa shënuar asnjë gol), është goleadori i të gjitha kohërave me fanellën e bluve (38).

 SIÇ I PËLQEN KONTES – Periudha e shkurtër e kaluar nën urdhrat e Kontes ka krijuar megjithatë një raport pozitiv mes të dyve, sepse Zhiru ka karakteristikat e duhura për t’u përshtatur në perfeksion me lojën e trajnerit. Shumë altruist, arrin të mbajë të avancuar skuadrën me mjeshtëri dhe mbron mirë topin me fizik. Modestia shpjegon në njëfarë mënyre zero golat në Botëror, ku megjithatë rezultoi i çmuar për t’u krijuar hapësira shokëve të skuadrës. Dhe kur nevojitet, di të jetë deçiziv edhe në zonën e rreptësisë. I fortë në lojën ajrore, por edhe në akrobaci: ditën e Vitit të Ri në 2017-ën shënoi me Arsenalin kundër Kristal Palasit në akrobaci me “goditjen e akrepit”, gol që ka mbetur në historinë e Premier Ligës.

RËNDËSIA E XHENIFERIT – Zonja Zhiru konsiderohet një nga “wag”- s më joshëse të futbollit francez. Quhet Xhenifer, është përkrah Zhirusë prej një jete dhe janë martuar në 2011-ën. Së bashku kanë dy fëmijë, Evan dhe Xhejd. Katolik i devotshëm, ka bërë tatuazh në krahun e djathtë një fragment në latinisht të marrë nga psalmi 23: “Dominus regit me et nihil mihi deerit” (Zoti është pastori im dhe asgjë nuk do të më mungojë).

I akuzuar se ka tradhtuar Xheniferin me modelen Silia Kej në shkurtin e 2014-ës, ka mohuar gjithçka me forcë. Romein Zhiru, vëllai, ka tentuar të bëjë futbollistin duke nisur nga të rinjtë e Okserit, por më pas braktisi gjithçka dhe sot është një dietolog i afirmuar. Ndërsa Olivie vazhdoi me botën e topit, tani Konte e dëshiron për t’u afruar me Juven.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"