Juxhino Zeqiraj: Goli që shënova qe i rregullt, Valbonës iu mohua fitorja në Burrel
Valbona po ambientohet si me grupin e lojtarëve që ka zgjedhur për këtë sezon, po ashtu edhe me Kategorinë e Parë si debutuese. Tropojanët morën pikën e parë në këtë kategori, në një transfertë të vështirë, siç është fusha e Burrelit.Kjo tregon më së miri se Valbona nuk ka ardhur thjeshtë për të mbijetuar, por të jetë një skuadër dinjitoze që meriton vazhdimësinë në të Parën. Një nga protagonistët e ndeshjes në Burrel, ishte mbrojtës i majtë, që tre ditë më parë festoi 21-vjetorin e lindjes, Juxhino Zeqiraj. Ai shënoi gol që iu anulua ekipit në Burrel dhe për “Panorama Sport” u shpreh: “Te Valbona jemi një grup lojtarësh edhe pse e kemi nisur pak vonë fazën përgatitore. Kjo nuk është justifikim, por kam bindje që Valbona nuk do të jetë kalimtar në këtë kategori. Na duhet edhe pak kohë që të sakrifikojmë, derisa të arrijmë formën tonë të mirë fizike dhe do të tregojmë që nuk jemi këtu për mbijetesën.
Duhet të punojmë shumë e të jemi të qetë para çdo takimi, të kemi besim te njëri-tjetri, por edhe mentaliteti duhet optimist. Pra, të hyjmë në fushë vetëm për fitore, për t’i dhënë një vrull ndeshjeve në vazhdim. Ky është viti i dytë, që aktivizohem për Valbonën, që kur erdha nga Luzi 2008. Dhe do mundohem të jap më të mirën, duke rritur paraqitjen në të mirë të ekipit dhe karrierës time. Goli në Burrel? Për mua dhe për të gjithë ato që e panë ndeshjen apo videon e aksionit, ishte një gol i rregullt. Pozicioni im nuk ishte jashtë loje, pasi kur kërceva me kokë kalova dy mbrojtës, për të arritur topin. Vendimi i kryesorit na hoqi trepikëshin. Në Burrel zhvilluam një ndeshje të bukur dhe mund të kishim dalë me fitore nga ai takim”.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"