Junajtid u shokua dhe nga Kristal Palas, trajneri Amorim: Është rezultat i rëndë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2025 | 17:29

Junajtid u shokua dhe nga Kristal Palas, trajneri Amorim: Është rezultat i rëndë

Mançester Junajtid pësoi humbjen e pestë në shtëpi në gjashtë ndeshjet e fundit të Premier Ligës, pasi dopieta e Zhan-Filip Mateta në pjesën e dytë i siguroi Kristal Palasit fitoren e katërt në gjashtë sezonet e fundit në “Old Trafford”.

amorim-10-780x439

Ndërsa Markus Rashford përgatitej të largohej drejt Aston Vilës, trajneri Ruben Amorim zgjodhi të lërë jashtë formacionit titullar Rasmus Hojlundin dhe Joshua Zirkzenë dhe përdori Kobi Meinonë si nëntë false. Por pavarësisht një fillimi të shkëlqyer, eksperimenti nuk funksionoi dhe Palas dukej i rrezikshëm përpara se Ebereçi Eze, i cili supozohej se do të mungonte për shkak të një dëmtimi, hyri si zëvendësues dhe ekzekutoi një goditje dënimi të shkëlqyer në minutën e 64-të.

Goditja me kokë e Lakrua u ndal nga shtylla dhe me Onanën e shtrirë, Mateta ktheu topin në portën e boshatisur. Në minutën e 88-të, Mateta do të shënonte edhe golin e 10-të sezonal në Premier Ligë dhe të gjashtin në pesë ndeshje, pasi finalizoi krosimin e ulët të Munjozit.

E sikur të mos mjaftonte rezultati, Junajtid pësoi edhe dëmtimin e rëndë të Lisandro Martinezit në gju pas përplasjes me Ismaila Sarr. Ky rezultat e ktheu Mançesterin në vendin e 13-të dhe ende nuk arriti të regjistrojë fitore radhazi në kampionat me Amorimin. Junajtid ka humbur shtatë nga 13 ndeshjet e para të kampionatit në shtëpi këtë sezon, më shumë në këtë fazë të kampionatit që prej rekordit të vendosur në 1893-94 (7).

AMORIM – “Rezultati është i rëndë për ne, por sa i përket lojës përmirësuam disa gjëra nga ndeshjet e fundit, por pësuam dy gola që mund t’i kishim shmangur. Situata e Martinezit është serioze”, tha trajneri portugez. “Tani duhet të përgatitemi për ndeshjen e radhës. Ideja nuk ishte të linim jashtë Hojlundin dhe Zirkzenë, por të përdorim karakteristikat e Meinosë për të përmirësuar skuadrën”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"