Josa “zbërthen” Besën pas testit të parë: Presim edhe një sulmues
Trajneri Mirel Josa e ka nisur me humbje aventurën e tij të parë te Besa, ndonëse bëhet fjalë për një ndeshje miqësore që u luajt të dielën dhe u fitua nga Pogradeci në shifrat 1-0.Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” trajneri Josa nuk e bën dramë rezultatin, madje ai mbeti i kënaqur nga loja dhe paraqitja e lojtarëve të tij në fushë.
“Prisja më shumë reagim, meqë ishte ndeshja e parë miqësore në drejtimin tim. Gjithsesi, në disa faza të lojës reagimi erdhi. Të dy ekipet u përpoqën të sillnin në fushë më tepër nga idetë e tyre. Unë mund të flas për skuadrën time, e cila më pëlqeu për mënyrën si e qarkulloi topin, si doli në aksione para portës kundërshtare dhe këtë e bëmë disa herë. Kishte defekte? Sigurisht që kishte, pasi ishte ndeshja e parë miqësore. Unë në përgjithësi jam i kënaqur, pavarësisht se humbëm. Skuadra duhet të mësohet se është ndërtuar për të arritur një objektiv dhe duhet të punojë mbi këto defekte që pamë. Koha deri në fillim të kampionatit nuk është shumë e gjatë, qoftë sa i takon pjesës fizike, qoftë asaj taktiko-teknike”, u shpreh fillimisht trajneri Josa.
I pyetur se a do të ketë afrime të tjera në ekip, “timonieri” i verdhezinjve u përgjigj: “Presim një sulmues, sepse ne përgjithësi në ndeshjen miqësore me Pogradecin dolëm para portës, por nuk ishim efikas, qoftë dhe sa i takon zgjedhjeve për pasin e fundit, qoftë për shoqërimin e topit kur luanim nga krahët. Gjë, që ne e kemi punuar gjatë kohës këtu. Megjithatë, besoj se me kalimine kohës do të përmirësohemi. Gjatë kësaj periudhe do të luajmë dhe disa miqësore. Sot do të testohemi përballë Lushnjës, më pas do të luajmë me Tiranën, Skënderbeun. Këto ndeshje do të na shërbejnë për stabilizimin e skuadrës”.
Rikujtojmë që miqësorja e sotme Lushnja-Besa do të luhet në orën 17:30 në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës.
KOÇO LILO-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"