Josa: Superkupa ishte një trofe morali. Presidenti Takaj: Kemi gati edhe dy blerje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2014 | 18:10

Josa: Superkupa ishte një trofe morali. Presidenti Takaj: Kemi gati edhe dy blerje

Gjika dhe JosaËshtë gjithnjë i matur në gjithçka thotë, megjithatë pas vërshëllimës së arbitrit nuk mundi ta përmbante veten, teksa festoi si i çmendur. Dhe me të drejtë, pasi dje mori një tjetër trofe me Skënderbeun. Mirel Josa, gjatë një intervistë të dhënë pas ndeshjes për “Super Sport”, ka analizuar finalen, kupën e fituar, është ndalur te kampionati që është në prag, si dhe ka komentuar dy largimet e befasishme, të Orelesit dhe Lilajt.
Sa vlerë ka kjo kupë pas eliminimit në Champions?
Ishte një ndeshje që vlen për moral dhe që ndihmon pas humbjes me BATE Borisovin, për mënyrën se si erdhi. Ajo java në Austri dhe mbi të gjitha ndeshjet miqësore me rivalë relativisht të fortë, ishin një barometër i mirë për Skënderbeun.
Si e kaluat “shokun” psikologjik pas skualifikimit?
Na ka bërë mirë ajo fazë përgatitore në Austri. Na ndihmoi faza edhe për të plotësuar boshllëqet që lanë dy lojtarët që u larguan. Ishte një ndeshje e luftuar nga të dy ekipet. Nuk ka lidhje me kampionatin.
Shkëmbi është 35 vjeç, por në fushë shfaqet gjithnjë i freskët. Si e gjykon një trajner një lojtar të tillë?
Unë nuk pyes për datëlindjet. Mjafton që të vrapojë.
Pas një jave starton kampionati. Si e parashikoni këtë sezon?
Kampionati i sivjetshëm do të jetë shumë i vështirë, duke qenë se do të ndeshemi katër herë me skuadra që pritet të jenë pretendente për titull. Nuk duhet të nxitohemi as ne dhe as rivalët, pasi pas javëve të para mund të qartësohet diçka.
A ndihet gati Skënderbeu juaj për të nisur një tjetër kampionat si pretendent?
Kemi motivim maksimal ndaj çdo ekipi, ndaj edhe këtë sezon nuk shoh ndonjë ndryshim.
Pa Lilajn dhe Orelesin në këtë Superkupë, çfarë ndodh nëse rikthehen?
Nuk më shqetëson ardhja e tyre. Kjo periudhë e largimit të tyre nuk përbën ndonjë diferencë, ndonëse duhet theksuar se ne i kishim llogaritur si titullarë, pra lojtarë bazë të formacionit tonë. Por, nga ana tjetër, kemi marrë masat edhe për zëvendësimin e tyre, gjatë tri javëve kemi ndërtuar një ekip, duke mos e llogaritur Lilajn dhe Orelesin. Mirëpo, me aq sa unë kam dijeni, ata janë pjesë e Skënderbeut, kanë kontratë që duhet ta zbatojnë.
Jeni trajneri më i titulluar dhe më i suksesshëm në vend?
Nuk ka rëndësi nëse jam më i titulluari, pasi çdo trajner punon dhe unë i respektoj të gjithë kolegët e mi.

Markoni Riberiro dhe TakajTakaj: Gati edhe dy blerje, me Markonin bëmë gabim teknik
Ardjan Takaj premton edhe dy përforcime për një Skënderbe që synon titullin e pestë radhazi dhe të gjashtin në historinë e klubit. Presidenti i korçarëve nuk e fshehu gëzimin pas fitimit të Superkupës, në një kohë që sqaroi edhe disa nga dilemat me lojtarët, duke filluar nga Sabien Lilaj, Nuredin Orelesi dhe braziliani Markoni Soza. Ky i fundit, i parashikuar për të luajtur titullar ndaj Flamurtarit, nuk arriti të federohej në kohë. Takaj pranoi pas ndeshjes për “Panorama Sport” se klubi bëri një gabim teknik me futbollistin. Për trofeun e Superkupës, kampionatin, por jo vetëm, ja si u shpreh kreu i klubit:
Një tjetër trofe për Skënderbeun, për më tepër ndaj një skuadre si Flamurtari…
Mendoj se ishte një fitore e merituar. Skuadra luajti mirë dhe mund ta dyfishonte rezultatin. Rëndësi ka që morëm trofeun e radhës. Superkupa erdhi pikërisht atje ku e kishte vendin.
Kush nga lojtarët ju bëri më shumë përshtypje?
Nuk mund të them që u befasova nga ndonjë, thjesht bënë detyrën. Sot (dje) prisja që të shikoja Markonin, pasi është futbollisti që ne mendojmë se do të bëjë diferencën në pozicionin ku luan.
Atëherë përse nuk u aktivizua Markoni?
Markoni nuk luajti për shkak të një gabimi teknik që ne bëmë si klub. Deri në momentet e fundit lojtari ishte pjesë e formacionit, por federimi ynë u vonua dhe nga klubi i tij i fundit në Brazil nuk na erdhi konfirmimi para ndeshjes për kartonit e Markonit. Gjithsesi, kjo është një çështje e zgjidhur dhe nesër lojtari do të federohet, pasi ka firmosur për ne.
Flamurtari është përforcuar shumë. I druheni garës me vlonjatët në kampionat?
Flamurtari ka qenë gjithnjë i fortë, por titullin e fiton skuadra që do të rezistojë deri në fund. Janë shumë ekipe pretendente, por e rëndësishme është kush do t’i rezistojë garës. Në syrin tim shikoj 6 klube që e nisin për trofe këtë sezon. Ne synojmë titullin e pestë radhazi dhe pse jo Kupën e Shqipërisë.
A ka një zgjidhje çështja e Lilajt?
Nuk ka marrë ende zgjidhje përfundimtare. Lojtari ka bërë një gabim, sepse është larguar pa leje në Poloni. Ai vazhdon të jetë pjesë e Skënderbeut dhe ka një kontratë në fuqi deri në maj të vitit 2015. Nëse me futbollistin do t’i shkëpusim marrëdhëniet, atëherë nuk do të jetë ndonjë problem, pasi kemi gati dy afrime të reja nga tregu i huaj dhe presim t’i zyrtarizojmë.
Nëse nuk është sekret, mund të na zbuloni emrat?
Të firmosim një herë dhe më pas do t’i publikojmë. Një prej tyre është brazilian, kaq mund t’ju them.
Çfarë do të bëhet me Orelesin?
Orelesi ka ikur me miratimin tonë në Ukrainë te Metalurg Donjeck. Ai do të kryejë vizitat mjekësore, por si duket këto të fundit po zgjasin shumë (qesh).

Shkembi, Vangjeli dhe Osmani me kapeleShkëmbi: U bënë shumë trofe, po i marr në shtëpi
Me batutë e ka nisur prononcimin e tij për “Panorama Sport” kapiteni i korçarëve, Bledi Shkëmbi. “Kemi aq trofe sa do i marrim në shtëpi”, – u shpreh fantazisti, i cili dje ka bërë një ndeshje brilante, duke treguar se po kalon një rini të dytë.
Vazhdoni të fitoni trofe, i radhës ishte Superkupa…
Patjetër që më bëhet qejfi që vazhdojmë të fitojmë, por më tepër se lojtarët dhe klubi tregojnë etje për të fituar trofe. Shijon më tepër Superkupa kur fiton ndaj Flamurtarit.
Pse e cilësoni “kundër Flamurtarit”?
Kundër Flamurtarit kemi pasur rivalitet këto vitet e fundit, ndaj për ne është normale që na shijon ky trofe.
Javën e ardhshme nis kampionati. Si e shihni?
Ne e treguam sot (dje) që jemi të denjë për të fituar trofe të tjerë, pra kampionatin e pestë radhazi. Luajmë ndeshjen e parë ndaj një skuadre me traditë dhe lojtarë me eksperiencë, por ne në fushë do të japim maksimumin që ta nisim me fitore.
Jeni i bindur për titullin e pestë radhazi?
Nuk jemi të bindur 100% për të fituar titullin, por ne do të bëjmë maksimumin për të marrë kampionatin e radhës. Dihet që gjithçka është e vështirë.
Rivali kryesor?
Janë 4-5 skuadra që rivalizojnë si Tirana, Partizani, Flamurtari, Kukësi dhe Laçi për fitimin e titullit, por në fund triumfues del Skënderbeu.
Disa skuadra kanë bërë merkato të bujshme…
Mendoj se futbollistët më të mirë në treg i kemi marrë ne. Pastaj, për skuadrat e tjera e vlerësoj çfarë kanë bërë.

Nimaga me titullinNimaga: Me këtë gol harrova penalltinë e vjetshme
Maliani Bakari Nimaga pothuajse e ka kryer detyrën e tij mjaft mirë në ndeshjen e Superkupës, ku arriti të shënonte dhe golin që u dha trofeun korçarëve. Për “Panorama Sport” Nimaga thotë se ky gol i hoqi “makthin” e humbjes së penalltisë së humbur një vit më parë në “play-off”-in e Ligës së Kampioneve, ndërsa beson te trofetë e tjerë me këtë ekip. “Sezonin e shkuar humba penalltinë e fundit në ndeshjen e ‘play-off ‘-it të Ligës së Kampioneve dhe pas këtij momenti unë e kam përjetuar gjithçka keq, pasi ishte diçka decizive. Nuk kam qenë vetvetja për aq kohë sa arrita të shlyeja atë që bëra një vit më parë, ndaj nga dita e sotme do të bëj maksimumin që sezonin e radhës të fitojmë kampionatin dhe të arrijmë atë që nuk kemi realizuar deri më sot”, – tha fillimisht heroi i Skënderbeut.
Trofeu – Nimaga shfaqet i lumtur për këtë trofe dhe për më tepër që ishte ai që ia dha skuadrës. “Jam shumë i lumtur që fitova trofe me skuadrën time pasi, për kaq kohë sa kam qenë këtu, doja të bëja diçka që të lija gjurmë te Skënderbeu. Falënderoj fansat, stafin teknik, presidentin për këtë trofe të arritur, pasi ata më kanë ndihmuar që unë të bëj përpara”.
Dedikimi – “Këtë trofe ua dedikoj të gjithë personave që më mbështesin mua dhe skuadrën e Skënderbeut në rrugën që kemi së bashku. Më tepër për Lilajn dhe Orelesin, të cilët më kanë mbështetur shumë që unë të jem këtu, madje dhe për mungesën që ata kishin sot në skuadër fizikisht. U uroj të dyve fat të mbarë për atë që kanë nisur! Orelesi ndodhet në Ukrainë dhe besoj se gjithçka do të mbyllet pozitivisht”, – përfundon Nimaga.
Erjon Hamitaj / Jorgis Memo