Josa: Dua Besë të qetë dhe pa gabime! Nica: Futbollistët në Shqipëri pa nivel, mendojnë vetëm për rroga

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2024 | 9:43

Josa: Dua Besë të qetë dhe pa gabime! Nica: Futbollistët në Shqipëri pa nivel, mendojnë vetëm për rroga

kastrioti

Besa dështoi të fitonte me Pogradecin dhe rrjedhimisht të merrte kryesimin e kampionatit. Tashmë verdhezinjtë ndodhen në vendin e dytë me pikë të barabarta me Flamurtarin.josaNga prononcimet e presidentit Nexhat Bizhdili dhe trajnerit Mirel Josa, duket se ky barazim nuk është bërë dramë. E quajtën thjesht një ndeshje, ku Besa gaboi dhe ka mjaft kohë që të korrigjohen gabimet, veçmas në manovrën sulmuese. Të dielën, verdhezinjtë do të kenë një transfertë mjaft të vështirë, teksa do të udhëtojnë në Fushë Krujë ku i pret Kastrioti. Për trajnerin Mirel Josa do të jetë një përballje jo e lehtë, por ekipi i tij duhet të ruajë qetësinë në lojë dhe të korrigjojë ato dobësi që shfaqën ndaj Pogradecit, dhe jo vetëm. Kujtojmë se Besa në shtëpi ka marrë plot 3 barazime ndaj Flamurtarit, Vorës e Pogradecit, ndërkohë që Vora bie fjala, ka marrë 100% të pikëve në Vorë. Në 7 ndeshje ka marrë 21 pikë, ndërkohë që Besa ka marrë më shumë pikë jashtë.

“Do të jetë një përballje jo e lehtë, si gjithë të tjerat. Ndeshja që lamë pas ku edhe gabuam, e vërteton këtë. Ndërkohë, unë i pari kisha bindje se do të fitonim. Në këtë kuptim, them se ajo që kërkohet nga ne është të ruajmë qetësinë, të besojmë deri në fund te një rezultat pozitiv. Pas ndeshjes me Pogradecin, ju e patë që unë rreshtova gabimet tona dhe çfarë duhet të bënim më mirë. Në këtë kuptim, pres që ndaj Kastriotit ekipi të reagojë lidhur me vërejtjet e mija dhe të korrigjojmë ato që bëmë keq ndaj Pogradecit. Tashmë asgjë nuk varet nga pikët apo vendi ku luan, por nga ajo që jep në fushën e lojës dhe gabimet që bën. Në futboll kush gabon më pak fiton”, u shpreh trajneri Mirel Josa për “Panorama Sport”, para ndeshjes me Kastriotin. Në rast triumfi në këtë sfidë, shtohen kreditet e Besës për objektivin.NicaKastrioti po bëhet gati për sfidën e së dielës me Besën, takim i cili do të luhet në orën 13:30 në stadiumin “Redi Maloku”. Pritet që trajneri Nica të hedhë në fushën e blertë lojtarët që janë më në formë, pasi më herët nuk i ka kursyer kritikat për paraqitjet e dobëta të disa lojtarëve të Kastriotit. Sipas Nicës, futbollistët nuk janë të angazhuar për rritjen e nivelit të tyre, dhe kjo vërehet jo vetëm te Kastrioti, por te të gjitha ekipet. Shto këtu edhe kushtet e krijuara nga klubet, që lënë shumë për të dëshiruar, si mungesa e fushave, baza materiale për stërvitje, e të tjera.

“Gjatë kësaj jave jemi përgatitur për Besën, por nuk shoh ndonjë impenjim maksimal. Janë krijuar probleme në skuadër dhe është e vështirë për të pasur gjithnjë rritje. Kjo sa i përket anës profesionale, pasi duhen krijuar kushtet për të pasur futbollistë cilësore, të cilët janë me pikatore. Futbollistet nuk punojnë individualisht dhe nuk kërkojnë nga vetja për t’u rritur nga ana profesionale, por janë përshtatur duke u kënaqur me rrogën që marrin dhe rutinën e përditshme të stërvitjes. Nuk mbajnë një regjim të caktuar, duke qenë jashtë kontrollit si nga familja po ashtu dhe nga ana e klubeve. Theksoj se kjo gjendje është në përgjithësi në futbollin shqiptar. Për drejtuesit, shkallët e boshatisura të stadiumeve duhet të jenë si një kambanë alarmi”, u shpreh Nica për “Panorama Sport”.

Duhet theksuar, se krahas këtyre problematikave që trajton trajneri Nica, Kastrioti është ende pa stadium si dhe pa një fushë stërvitore. Prej 7 vitesh endet jashtë qytetit të Krujës.

FERIZ FERIZAJ/SHKËLQIM HASANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"