Jo vetëm Konte e De Zerbi, trajneri i njohur i La Ligës bëhet kandidat për të zëvendësuar Inzagin te Interi
Simone Inzagit vazhdon t’i dridhet pankina, duke marrë parasysh ecurinë e Interit këtë sezon në kampionat. Ndërkohë që të gjithë prisnin që zikaltrit të konkurronin fort për titullin, distanca prej 21 pikësh me kryesuesit e Napolit nuk po përtypet mirë në Milano, aty ku vetëm një mrekulli në Champions League mund t’ia shpëtojë stolin 46-vjeçarit.
E në një moment të tillë, sigurisht që lakimi i emrave të pasardhësve është i pashmangshëm. Antonio Konte kryeson listën, jo vetëm për atë që ka bërë me Interin (kampion i Italisë në 2020-2021-shin), por për mentalitetin që skuadra ka nevojë të rigjejë dhe që personifikon një trajner si italiani.
Gjithsesi pikëpyetja e madhe është raporti i trajnerit me presidentin Zhang, që duket se nuk e ka kapërdirë largimin e Kontes fill pas shpalljes kampion, kur 53-vjeçari tregoi mungesë besimi te projekti zikaltër që u pasua me shitjen e Hakimit dhe Lukakut.
DE ZERBI E SIMEONE – Roberto de Zerbi vazhdon të përflitet në ambientet zikaltër, pasi trajneri aktual i Brajtonit po tregon dhe ka treguar edhe më herët në Serinë A me Sasuolon e tij se përcjell një filozofi ofensive te skuadrat e tij që mungon në Milano.
Gjithsesi sipas “La Gazzetta dello Sport”, ka një emër tjetër të madh në garë për stolin e Interit dhe bëhet fjalë për Diego Simeonen.
Argjentinasi nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën e tij për të stërvitur Interin, si një ish-lojtar i këtij klubi dhe pavarësisht se kontrata e tij me Atletikon e Madridit skadon në 2024-ën, pritet që lamtumira e tij të vijë që këtë sezon, edhe pse paga prej 22 milionë eurosh që përfiton aktualisht pritet të jetë një nyjë për t’u zgjidhur.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"