“Jemi ekipi me mbrojtjen dhe sulmin më të mirë”, Mazrekaj: Besa e destinuar për ngjitjen në Superiore
Verdhezinjtë kanë ditur të përfitojnë pas humbjes së Vorës në Fier dhe barazimit të Flamurtarit në Burrel, duke mos shpërdoruar mundësinë me Valbonën. Falë kësaj fitore, kavajasit i janë afruar tashmë përsëri ndjeshëm kreut.
Kavajasit i ndan vetëm 1 pikë nga Flamurtari i vendit të parë dhe ka 28 pikë, aq sa edhe Vora. Për golashënuesin më të mirë të kavajasve dhe Kategorisë së Parë, Mentor Mazrekaj, Besa është brenda objektivave të saj dhe të gjithë janë optimistë se në javët në vijim, ekipi do të bëjë më mirë.
Përse mungoi Mentor Mazrekaj ndaj Valbonës?
Trajneri gjykoi të pushoja, nisur edhe nga forca e kundërshtarit. Pas ndeshjes me Flamurtarin, vërtetë isha i lodhur. Mos harroni se ndeshjet kanë qenë të ngjeshura dhe unë s’kam pushuar në asnjërën prej tyre.
Çfarë nuk shkoi, që ndodhën ato situata me Valbonën?
Nganjëherë edhe diferencat në lojë, përbërja dhe bindja absolute në fitore, të çojnë pa dashje në situata të tilla. Kemi pasur kalendar të ngjeshur dhe normalisht që lodhja po ndihet edhe te futbollistët. Kryesorja është se fituam dhe kjo është më e rëndësishmja. Të tjerat harrohen, pasi vjen ndeshja tjetër.
Si i gjykoni lojërat dhe rezultatet e fazës së parë të Besës?
Si natyrë kurrë nuk kam preferuar t’i kthehem atyre ndeshjeve që kanë kaluar, por meqë po pyesni, dua t’u them se bëmë mirë. Jemi ekipi me mbrojtjen dhe sulmin më të mirë, nisur kjo nga rezultatet. Të vetmit që nuk njohim humbje, pasi barazimi edhe ndodh nganjëherë edhe atëherë kur nuk e pret.
Fitorja e fundit ju afroi një pikë me Flamurtarin. Jeni më të qetë?
Asgjë nuk është e lehtë në një garë dhe krahas nesh dhe të tjerët kanë objektivat e tyre. Besa ndodhet brenda objektivave të saj dhe diferenca me Flamurtarin 1 pikë, nuk llogaritet në objektivin final. Ne do luftojmë fort edhe në ndeshjet e tjera për të vijuar në arritjen e objektivit madhor që kemi. Ngjitjen në Superiore.
Kryesoni listën e golashënuesve. Çfarë do thotë kjo për ju?
Askush nuk ia del dot vetëm të shënojë gola, por kërkohet edhe ndihma e shokëve. Në këtë kuptim është meritë e gjithë grupit. Unë vetëm sa kam shfrytëzuar përvojën time të gjatë në rastet që më janë paraqitur. Natyrisht që ndihem mirë, por kryegolashënuesi nuk është synimi im. Ecuria e Besës është ajo që përbën angazhimin themelor për mua.
FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"