“Jam këtu prej Sakit dhe Eriksonit”, Ançeloti: Nuk para nxehem, por kur e bëj… tërbohem

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2024 | 22:27

“Jam këtu prej Sakit dhe Eriksonit”, Ançeloti: Nuk para nxehem, por kur e bëj… tërbohem

Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti ka qenë i ftuar në një konferencë në Meksikë në të cilën ai rishikoi karrierën e tij. Italiani shpjegoi sekretet e suksesit të tij para një audience biznesi.

Anceloti

Trajneri italian foli për mënyrën e tij të të kuptuarit të lidershipit dhe sesi duhet ta zbatojë atë në baza ditore.

FILLIMET SI TRAJNER – “Jo gjithnjë kisha menduar të bëhesha një trajner. Një ditë te Milani, erdhi Arrigo Saki dhe më tha se kur ta mbyllja me futbollin e luajtur më donte ndihmës të tijin. Ai ishte një gjeni i futbollit. Ndryshoi gjithçka. Ishte një mjeshtër. Më ka mësuar shumë sikurse dhe Erikson. Kur nis këtë profesion nuk ke eksperiencë. Eksperienca nuk mund të blihet, ajo vjen me kohën”.

VËSHTIRËSITË SI TRAJNER – “Përballesh çdo ditë me to. Është një punë me përgjegjësi të madhe. Mund të vendos se në çfarë ore do të kryej stërvitjen, kë do të hedh në fushë, por në fund të fundit e gjitha është një marrëdhënie njerëzore, që është dhe gjëra më e rëndësishme. Ka raste kur i pyes lojtarët: kush je ti dhe ata më thonë: jemi lojtarë. Unë i them jo, i them se në radhë të parë jeni njerëz që luani futboll. Përpiqem të mbaj edhe një marrëdhënie në nivel personal përtej asaj profesionale, sepse kështu mund të marr më të mirën nga niveli profesional. Nuk është një punë e lehtë, sepse çdo lojtar dëshiron të luajë gjithnjë. Janë 11 që zbresin në fushë dhe 15 të tjerë që shohin dhe kjo është e ndërlikuar”.

PËRÇIMI I LIDERSHIPIT – “Është shumë e vështirë të përshkruash një lider, si duhet të jetë ai, çfarë karakteristikash duhet të ketë. Për mua një lider duhet të ketë aftësinë të dëgjojë ata që punojnë me të. Gjithnjë mund të të japin ide dhe të të ndihmojnë. Është shumë e rëndësishme të dëgjosh dhe jo të mendosh se i di të gjitha vetëm ti sepse je shefi. Gjithnjë mund të mësohet”.

SUKSESI PROFESIONAL DHE PERSONAL – “Është e vështirë të thuash se çfarë është suksesi. Për dikë mund të jetë fitimi i një titulli apo diçka tjetër. Për mua sukses është të japësh gjithçka që mundesh. Nëse arrin të marrësh maksimumin prej tij në aspektin mendor ose nivelin fizik”.

VAZHDIMËSIA E KARRIERËS – “Kam shumë kohë që drejtoj dhe do të vazhdoj ta bëj. Do të vazhdoj deri kur zjarri që kam brenda meje për futbollin të shuhet”.

ANÇELOTI I TËRBUAR – “Gjithmonë duhet të jesh pozitiv në stol, sepse duhet të flasësh me lojtarët. Nuk është e vërtetë që jam gjithmonë i qetë. Shumë rrallë zemërohem, por kur zemërohem tërbohem. Kali ka dy mënyra për të kërcyer: ose me të mirë ose me kamxhik. Ai kërcen në të dyja mënyrat. Nëse e godet me kamxhik ai mund të të hedhë nga pas, nëse e merr me të mira do të ndihmojë”.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"