Ish-trajneri Kolela “reklamon” Magetin: Kualitativ, Venecias i bën punë! Ja si e mbajta dhe u ngrit te Partizani
Maget Gueje pritet të mbushë arkat e Partizanit, mision të cilin të kuqtë nuk e përmbushë si duhet në aventurën e tyre verore në Ligën e Konferencës.Partizani është i prirur për ta shituar lojtarin me çdo kusht në këtë pjesë të mbetur të merkatos dhe për t’i bërë parapritë ndonjë largimi të mundshëm të senegalezit me parametër zero. 21-vjeçari është në vitin e fundit të kontratës me Partizanin, kështu që “demat” po i lëvizin të gjithë gurët për ta sistemuar dhe përfituar sa më shumë nga shitja e Maget.
“Panorama Sport” raportoi ditë më parë se në lojë për shitjen e lojtarit të kuq ka hyrë edhe agjenti i njohur shqiptar, Fali Ramadani. Ai ka lidhje të forta me klubet italiane dhe gjasat janë të mëdha që Maget të luajë në vendin fqinj në të ardhmen, me Venecian kandidate potenciale për të nënshkruar me të. Nga sa mësohet, Ramadani ka marrë përsipër të mbyllë shitjen e mesfushorit të Partizanit. Klubi i kuq pritet të përfitojë një shumë të majme, rreth 700 mijë euro, por edhe të mbajë një përqindje të kartonit, që mbetet të përcaktohet në marrëveshjen mes dy klubeve.
Përveç menaxherit Ramadanit, lojtari së fundmi është promovuar më mediat italiane edhe nga ish-trajneri kampion i Partizanit, Xhovani Kolela, i cili ka folur me superlativa për senegalezin. Në intervistën e dhënë për “TuttoVeneziaSport”, ish-trajneri italian i Partizanit ka zbërthyer në detaje Maget dhe sipas tij ai është një lojtar i fortë dhe me kualitet dhe që do të bënte mirë te Venicia e trajnerit Di Françesko. Intervista e trajnerit Kolela shikohet si një reklamë në kohën e duhur për të shtuar më shumë kreditet për transferimin e Maget Gueje nga Partizani te Venecia.
Mund të na tregoni për Maget Gueje?
Ai është një lojtar i shkëlqyer. Një mesfushor që ka lindur si një mesfushor sulmues, të cilin tani e shoh si një lojtar të kompletuar, i cili kombinon cilësitë e shkëlqyera fizike me teknikën shumë të mirë. Më pas ai e sheh golin shumë mirë, kërcen shumë mirë me kokën dhe e ka këmbën e majtë të bukur.
Në cilin rol është më i miri?
Ai është një lojtar me karakteristika të mira fizike dhe teknike, falë të cilave mund të luajnë në shumë role. Në fakt ai ka luajtur pothuajse kudo nga mesfusha e lart dhe gjithmonë ka performuar shumë mirë. Jam i lumtur që ai ka tërhequr vëmendjen, sepse kur mbërrita në Tiranë ai kishte prekur fundin….
Pse?
Ai donte të largohej dhe unë isha ai që e binda të vazhdonte dhe të kthehej menjëherë në fushë, kur shkuam në kampin stërvitor në Turqi. Unë mora një pozicion të fortë me klubin për të parandaluar largimin e tij, sepse isha i bindur për të dhe cilësitë e tija. Në nëntor, gjatë pushimit për Kupën e Botës, ne e çuam atë në Turqi dhe gjithçka ndodhi prej andej.
Me pak fjalë, a mund të ketë ai një ndikim të mirë në Serie A me Di Françeskon?
Unë mendoj se po. Për mendimin tim ai është një lojtar i veçantë, sepse ai kombinon forcën e madhe me cilësinë dhe ndjenjën e golit dhe futjes me kohën e duhur, që është diçka që ai e ka të natyrshme. Pastaj, ai është shumë i vëmendshëm dhe i sjellshëm jashtë fusha, e cila nuk dhemb.
ILIR CARA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"